SHBA largon nga Ukraina stafin diplomatik: Do të flenë në Poloni

22 February 2022, 17:20Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

SHBA largon nga Ukraina stafin diplomatik: Do të flenë në Poloni

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të largojnë nga Ukraina edhe pjesën e mbetur të stafit të vet diplomatik, që aktualisht janë larguar nga Kievi dhe janë zhvendosur në Lviv, qytet perëndimor pranë kufirit me Poloninë.

Departamenti i Shtetit njoftoi se për arsye sigurie, personeli i Departamentit të Shtetit aktualisht në Lviv netët do t’i kalojnë në Poloni.

“Personeli ynë do të kthehet rregullisht për të vazhduar punën e tyre diplomatike në Ukrainë dhe për të ofruar shërbime konsullore emergjente. Ata do të vazhdojnë të mbështesin popullin ukrainas dhe qeverinë ukrainase, duke koordinuar përpjekjet diplomatike”, thuhet në deklaratën e DASH.

SHBA thotë se angazhimi i Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës përballë agresionit të Rusisë është i palëkundur.

“Fakti që ne po marrim masa paraprake të kujdesshme për hir të sigurisë së personelit të qeverisë amerikane dhe qytetarëve amerikanë, siç bëjmë rregullisht në mbarë botën, në asnjë mënyrë nuk e minon mbështetjen tonë për Ukrainën, ose angazhimin tonë ndaj Ukrainës”, deklaroi SHBA.

DASH përsërit fort rekomandimin për qytetarët amerikanë që të largohen menjëherë nga Ukraina.

“Situata e sigurisë në Ukrainë vazhdon të jetë e paparashikueshme në të gjithë vendin dhe mund të përkeqësohet me pak njoftim. Ekziston një gjasë e madhe që çdo operacion ushtarak rus do të kufizonte ashpër udhëtimin ajror komercial. Trupat ruse kanë vazhduar të afrohen më pranë kufirit në atë që duket si plan për një pushtim në çdo moment. Ka pasur raporte për shkelje të shtuara të armëpushimit në Kharkiv, Luhansk dhe Donetsk ditët e fundit. Dhe Rusia ka urdhëruar trupat që të vendosen në të ashtuquajturat rajonet e pavarura”, thotë deklarata.


Video