
Presidenti Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara kanë kryer me sukses sulme ndaj tre objekteve bërthamore në Iran: Fordo, Natanz dhe Esfahan.
“Kemi përfunduar me sukses sulmin tonë ndaj tre objekteve bërthamore në Iran, përfshirë Fordo, Natanz dhe Esfahan. Të gjitha avionët tanë ndodhen tashmë jashtë hapësirës ajrore iraniane,” shkroi Trump në rrjetin e tij Truth Social.
Ai shtoi gjithashtu se në objektin Fordo është hedhur një ngarkesë e plotë bombash, dhe se të gjithë avionët janë rrugës për në SHBA.
Presidenti amerikan theksoi se ndaj objektit të Fordow, të njohur si “mali bërthamor”, avionët B-2 të Forcave Ajrore Amerikane hodhën bomba “bunker-buster” (sipas CNN 14 të tilla) me peshë 14 ton secila. Ndërkohë, ndaj impianteve të Natanz dhe Esfahan janë përdorur 30 raketa Tomahawk, të lëshuara nga nëndetëse amerikane nga një distancë prej 650 kilometrash.
Bombarduesit stealth B-2 të SHBA-ve ishin zhvendosur në territorin amerikan në ishullin Guam, duke nxitur spekulime se mund të përdoreshin në një sulm të mundshëm ndaj Iranit.