Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, duke komentuar lajmin e kanalit televiziv amerikan “Fox News” ku thuhej se Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka kërkuar njohjen de facto të Kosovës nga Serbia në këmbim të “autonomisë” për serbët, ka thënë se ekzekutivi kosovar nuk ka pranuar kurrfarë autonomie.
“Ne kemi treguar gatishmërinë tonë për respektim maksimal të të drejtave të çdo anëtari të komuniteteve, sipas standardeve të Këshillit të Evropës”, ka thënë Kryeziu për Radio Televizionin e Kosovës, vetëm pak orë pas thirrjes së deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, i cili ka kërkuar reagimin e institucioneve kosovare.
“Ajo çka ne duam të theksojmë është se Kosova nuk ka pranuar e as nuk është pajtuar për kurrfarë autonomie. Ne kemi treguar gatishmërinë tonë për respektimin maksimal të të drejtave të çdo anëtari të komuniteteve, sipas standardeve të Këshillit të Evropës”, ka thënë ai, derisa ka shtuar se nuk japin asgjë më shumë se sa parashihet me Kushtetutën e Kosovës.
Kryeziu ka theksuar ndër të tjera se se për momentin është e paqartë nëse lajmi në kanalin televiziv amerikan i referohet një citati të drejtpërdrejt të presidentes së KE-së gjatë vizitës së fundit në Kosovë dhe Serbi apo është vetëm interpretim i mediumit prestigjioz amerikan mbi dinamikën e procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Terreni i kërkimit të madh për “përgjigjet” dhe “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë ditët në vijim, derisa çështja e “autonomisë” për serbët është vendosur lart në listën e prioriteteve të jashtme të kancelarit gjerman Olaf Scholz, presidentit francez Emmanuel Macron dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni, në këmbim të njohjes de facto të Kosovës nga Serbia.