Enklava spanjolle e Ceutës, në veri të Afrikës, po përballet me krizën më të rëndë migratore në historinë e saj, pasi dhjetëra mijëra emigrantë kanë hyrë në mënyrë të parregullt nga Maroku, duke shkaktuar një emergjencë humanitare dhe sigurie.
Sipas autoriteteve spanjolle, të paktën 34 persona humbën jetën gjatë përpjekjes për të kaluar kufirin, ndërsa më vonë bilanci u rrit në 57 viktima.
Sipas autoriteteve spanjolle, thuajse të gjithë nga mbi 50.000 emigrantët që hynë ilegalisht në territorin spanjoll janë kthyer vullnetarisht në Marok.
Gazeta spanjolle "El País" njofton se për shkak të mungesës së perspektivës për të vazhduar udhëtimin drejt vendeve të tjera dhe të mungesës së kushteve bazë në Ceuta shumë prej emigrantëve u zhgënjyen dhe u kthyen.
Presidenti i Ceutës, Juan Jesús Vivas, e përshkroi situatën si “një emergjencë absolute humanitare dhe sociale”, duke kërkuar shpalljen e gjendjes së emergjencës kombëtare.
Një territor i kontestuar prej shekujsh
Ceuta është një qytet autonom spanjoll me sipërfaqe rreth 20 kilometra katrorë në bregun verior të Afrikës dhe, së bashku me Melilla-n, përbën kufirin e vetëm tokësor të Bashkimit Evropian me kontinentin afrikan.
Mosmarrëveshjet mes dy vendeve kanë shkaktuar edhe më parë tensione diplomatike. Në vitin 2021, gjatë krizës së Saharasë Perëndimore, Maroku lehtësoi kontrollet kufitare, duke bërë që afro 8 mijë persona të hynin në Ceuta brenda vetëm dy ditësh.
Marrëdhëniet u normalizuan vetëm pasi Spanja mbështeti planin maroken për autonominë e Saharasë Perëndimore në vitin 2022.

Historia e Ceuta-s dhe Melilla-s
Ceuta ka një sipërfaqe prej rreth 18.5 km² dhe mbi 83 mijë banorë, ndërsa Melilla shtrihet në 12.3 km² dhe ka rreth 87 mijë banorë. Të dyja qytetet janë të rrethuara nga gardhe të larta sigurie me tela, kamera dhe sisteme mbikëqyrjeje. Hyrja në këto enklava nënkupton hyrje në territorin e Shengenit, çka i bën ato një destinacion të rëndësishëm për emigrantët që synojnë të vazhdojnë drejt Spanjës kontinentale dhe vendeve të tjera evropiane.
Melilla u pushtua nga Spanja në vitin 1497, ndërsa Ceuta kaloi nën sovranitetin spanjoll në vitin 1668. Edhe pas pavarësisë së Marokut në vitin 1956, të dy qytetet mbetën nën administrimin e Spanjës. Maroku nuk e njeh këtë sovranitet dhe i konsideron ato territore koloniale, duke mbajtur të hapur një mosmarrëveshje që prej dekadash shkakton tensione diplomatike mes Rabatit dhe Madridit.
Pavarësisht statusit të tyre si pjesë e Spanjës dhe Bashkimit Evropian, Ceuta dhe Melilla janë ekonomikisht të lidhura ngushtë me Marokun, me mijëra qytetarë marokenë që kalojnë kufirin çdo ditë për punë dhe tregti. Megjithatë, krizat e përsëritura migratore vazhdojnë t’i vendosin këto dy enklava në qendër të debatit për sigurinë kufitare dhe politikën e migracionit në Evropë.

Çfarë e shkaktoi valën e fundit?
Autoritetet spanjolle thonë se ende nuk ka një shpjegim të plotë për hyrjen masive të emigrantëve.
Ministria e Brendshme argumenton se rrjetet e trafikimit të qenieve njerëzore kanë shfrytëzuar një vendim të Gjykatës Supreme të Spanjës të 29 qershorit, i cili ndalon kthimin e menjëhershëm të emigrantëve që mbërrijnë në Ceuta dhe Melilla nga deti pa ndjekur procedurat ligjore.
Sipas medias publike RTVE, ky vendim u përhap gjerësisht në rrjetet sociale në Marok, duke nxitur shumë persona të besonin se do të kishin më shumë mundësi të qëndronin në Spanjë nëse arrinin të hynin me not në Ceuta.
Ekspertët vlerësojnë se një rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe faktorët ekonomikë. Papunësia në mesin e të rinjve marokenë të moshës 15-24 vjeç mbetet mbi 37%, ndërsa papunësia e grave ka vijuar të rritet.
Nga ana tjetër, qeveria spanjolle ka hedhur poshtë pretendimet se kriza është një reagim i Marokut ndaj afrimit diplomatik të Madridit me Algjerinë, duke theksuar se marrëdhëniet me Rabatin “janë të shkëlqyera”.
Reagime brenda dhe jashtë Spanjës
Kriza ka ndezur debat të fortë politik në Spanjë. Lideri i partisë së djathtë ekstreme Vox, Santiago Abascal, akuzoi kryeministrin Pedro Sánchez se politikat e tij ndaj emigracionit kanë “provokuar pushtimin e kufirit”, ndërsa kreu i Partisë Popullore, Alberto Núñez Feijo, deklaroi se qeveria “refuzon të pranojë se Spanja po përballet me një problem serioz të sigurisë kombëtare”.
Reagime pati edhe në Evropë. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni propozoi shqyrtimin e pezullimit të Spanjës nga zona Shengen, ndërsa Franca njoftoi forcimin e kontrolleve në kufirin me Spanjën.
Edhe Shtëpia e Bardhë reagoi përmes zëdhënëses Anna Kelly, e cila deklaroi se “Presidenti Trump ka paralajmëruar prej kohësh Evropën për pasojat e politikave që favorizojnë emigracionin masiv”, duke u bërë thirrje vendeve evropiane të ndryshojnë kurs.