Mijëra qytetarë nga të gjitha komunat e Kosovës janë mbledhur të enjten në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë për të shprehur mbështetjen e tyre ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët aktualisht ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë të Holandës.
Kjo protestë është thirrur nga Organizata e Veteranëve të UÇK-së kundër padrejtësisë që ndan Gjykata Speciale, ndaj figurave kryesore të luftës çlirimtare të Kosovës. Në mbështetje të saj kanë dalë përfaqësues të subjekteve politike, të shoqërisë civile, profesorë universitarë, prijës fetarë, artistë e sportistë.
Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës bëri thirrje për pjesëmarrje masive në protestë, duke kërkuar që ajo të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe dinjitoze, në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare kundër padrejtësive, të cilat cenojnë dinjitetin e luftës së drejtë të UÇK-së.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët kosovarë – Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli – dhe ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, akuzohen për të ashtuquajtura krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara.