Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov zhvilloi një takim të premten me homologun e tij nga Republika Popullore e Luganskut, Vladislav Deinego dhe zëvendësministrin e parë të Jashtëm të Republikës Popullore të Donetskut, Sergei Peresada.
Në një konferencë për shtyp pas takimit, Lavrov deklaroi se operacioni që Moska po kryen në Ukrainë që nga mëngjesi i së enjtes është provokuar nga vetë autoritetet ukrainase. Në veçanti, ai fajësoi presidentin e Ukrainës, Vladimir Zelensky, për humbjen e të gjitha mundësive për negociata.
Po kështu, ministri i jashtëm rus akuzoi Kievin për kryerjen e një "gjenocidi" në Donbass dhe kritikoi politikat e Ukrainës që shkelin të drejtat e ukrainasve rusishtfolës.
“A e pranojnë demokracitë që ju mbështesni, ndalimin e një gjuhe të folur nga një numër i madh njerëzish dhe arsimin në atë gjuhë?”, pyeti ai një gazetar.
Pas një përgjigjeje nga një korrespondent, i cili pohoi se ky nuk është një "operacion ushtarak special", por "një pushtim ushtarak në shkallë të gjerë", Lavrov pohoi se "askush nuk do të pushtojë Ukrainën".
"Në mënyrë që të mos ketë eufemizëm, ne duam që populli ukrainas të jetë në gjendje të përcaktojë të ardhmen e tij", tha ministri.
"Askush nuk do të pushtojë Ukrainën. Objektivat e operacionit u deklaruan hapur: çmilitarizimi dhe denazifikimi", tha ai.
Po kështu, ministri i Jashtëm hodhi poshtë si të rreme deklaratat e presidentit të Ukrainës, Vladimir Zelensky, për gatishmërinë e tij për të negociuar një status neutral për vendin e tij.
"Ai thjesht nuk po thotë të vërtetën për momentin. Ai thjesht gënjen kur thotë se është gati të diskutojë statusin e neutralitetit," tha Lavrov, duke shtuar se negociatat me Kievin do të rifillonin pas rivendosjes së "një regjimi demokratik".