Përshkallëzohen protestat në Irlandën e Veriut pasi dy rumunë tentuan të p*rdhunonin një adoleshente!

12 June 2025, 15:33Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Përshkallëzohen protestat në Irlandën e Veriut pasi dy


Për të tretën ditë radhazi, qyteti Ballymena ndodhet nën tensione të rënda pas trazirave të dhunshme që shpërthyen si pasojë e një tentative përdhunimi ndaj një vajze adoleshente.

Dy djem 14-vjeçarë me origjinë rumune janë vënë nën akuzë për ngjarjen, çka ka ndezur reagime të ashpra në komunitet dhe ka shkaktuar një valë dhune ndaj emigrantëve.

Protestat që nisën në mënyrë paqësore u përshkallëzuan shpejt në demonstrata të dhunshme, ku emigrantët u bënë objektivi kryesor. Janë raportuar sulme ndaj banesave dhe bizneseve të emigrantëve, ndërsa rrugët e qytetit janë kthyer në skena përplasjesh me policinë. Persona të maskuar kanë përdorur kapsolla, tulla dhe sende të forta për të sulmuar forcat e rendit.

Sipas raportimeve nga vendngjarja, shumë familje janë detyruar të vendosin shenja në dyert e shtëpive për të treguar kombësinë e tyre, me shpresën për të shmangur sulmet. Incidenti më i rëndë është regjistruar në Larne, ku një ndërtesë publike që shërbente si strehë për emigrantët është djegur nga protestuesit.

Autoritetet konfirmuan se të paktën 32 policë janë lënduar dhe janë bërë 6 arrestime. Policia ka cilësuar dhunën si “e motivuar qartësisht nga racizmi” dhe e ka drejtuar edhe ndaj vetë zyrtarëve të saj.

Kryeministrja e Irlandës së Veriut, Michelle O’Neill, e cilësoi situatën si “racizëm i pastër”, duke shtuar se “nuk duhet ngatërruar kërkimi i drejtësisë për viktimën me dhunën kolektive ndaj emigrantëve”.

Ndërkohë, ministri për Komunitetet, Gordon Lyons, është vënë në qendër të kritikave pasi publikoi vendndodhjen e një strehe për emigrantë, duke pretenduar se as ai e as partia e tij nuk ishin informuar për vendimin.

Për shkak të rritjes së tensioneve, janë sjellë përforcime nga policia e Skocisë. Kujtojmë se Irlanda e Veriut ka përqindjen më të ulët të emigrantëve në Britaninë e Madhe – vetëm 3.4% e popullsisë.

Autoritetet vijojnë hetimet dhe po bëjnë thirrje për qetësi, ndërsa organizatat e të drejtave të njeriut shprehin shqetësim për rrezikun e përshkallëzimit të mëtejshëm të dhunës.


Video