Përfundon ultimatumi, prag lufte në Niger, junta mbyll hapësirën ajrore

7 August 2023, 09:40Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Përfundon ultimatumi, prag lufte në Niger, junta mbyll
Prag lufte në Niger

Junta ushtarake në Niger ka mbyllur hapësirën ajrore të vendit pas përfundimit të ultimatumit nga unioni i vendeve të Afrikës Perëndimore, që kërkonte rikthimin në detyrë të presidentit të rrëzuar Mohamed Bazoum.

Në njoftimin për mediat, ushtria bën me dije se hapësira ajrore do të qëndrojë e mbyllur për një afat të pacaktuar dhe kjo për shkak të kërcënimeve nga fqinjët për të ndërhyrë ushtarakisht në Niger.

Ishin vendet e Afrikës Perëndimore, Ecowas ato që kërkuan rikthimin e presidentit të zgjedhur në mënyrë demokratike, por zëdhënësi i juntës u shpreh se forcat janë gati t’i bëjnë ballë çdo agresioni, duke lënë të kuptohet se nuk do t’i përgjigjen asnjë ultimatumi.

Presidenti Bazoum u rrëzua nga pushteti më 26 korrik dhe ishte gjenerali i rojeve presidenciale, Abdourahmane Tchiani ai që e shpalli veten disa ditë më vonë si lideri i ri.

Ky grusht shteti në Niger është dënuar ashpër nga komuniteti ndërkombëtar, përfshirë këtu Francën, ishin fuqi koloniale dhe pjesa tjetër e BE, OKB dhe Shtetet e Bashkuara.

Në një deklaratë për mediat shtetërore, përfaqësuesi i juntës u shpreh se ka informacione të sigurta që fuqi të jashtme po përgatiten të sulmojnë Nigerin.

Pas një takimi për krizat të zhvilluar në Nigeri, liderët e Ecowas bënë me dije se kanë përgatitur një plan të detajuar për mundësinë e përdorimit të forcës.

Ecowas është një bllok tregtar rajonal i 15 vendeve të Afrikës Perëndimore, duke përfshirë Nigerinë, Senegalin, Togon dhe Gana.

Udhëheqësit e grushtit të shtetit duket se nuk po tregojnë asnjë shenjë vullneti për të hequr dorë nga pushteti dhe të dielën mijëra mbështetës të tyre u mblodhën në mënyrë sfiduese në një stadium në kryeqytetin Niamey.

Nigeri është një prodhues i rëndësishëm i uraniumit, lëndë që është jetike për energjinë bërthamore.


Video