“Nuk jemi në luftë me SHBA, duam të bashkëpunojmë”, Lavrov: Mesazhin ua dhamë me raketën “Oreshnik”

6 Dhjetor 2024, 15:24Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov

"Unë nuk do të thosha se SHBA është aktualisht në luftë me Rusinë," kështu tha Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov në një intervistë nga Moska të transmetuar të enjten, në përgjigje të një pyetjeje të gazetarit amerikan Tucker Carlson.

"Në çdo rast, kjo nuk është ajo që duam. Ne duam të kemi marrëdhënie normale, natyrisht me të gjithë fqinjët tanë, por edhe me të gjitha vendet në përgjithësi. Presidenti Putin ka shprehur vazhdimisht respektin e tij për popullin amerikan, për historinë amerikane, për arritjet amerikane në botë dhe ne nuk shohim arsye pse Rusia dhe SHBA nuk mund të punojnë së bashku për të mirën e botës”, u shpreh Lavrov.

Në përgjigje të pyetjes së Tucker Carlson në lidhje me financimin e SHBA-së për një luftë në të cilën është përfshirë Rusia, Sergey Lavrov përsëriti se “zyrtarisht ne nuk jemi në luftë me SHBA, por ajo që po ndodh në Ukrainë është ajo që disa e quajnë një luftë hibride. Por është e qartë se ukrainasit nuk mund të bëjnë atë që po bëjnë pa armë moderne me rreze të gjatë, pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të amerikanëve dhe kjo është e rrezikshme”.

Rusia është e gatshme të përdorë "të gjitha mjetet" në dispozicion për t'u mbrojtur, tha më vonë Sergei Lavrov, duke iu referuar përdorimit të raketës së re balistike me rreze të mesme veprimi të Rusisë Oreshnik (IRBM) për të goditur një objektiv në Ukrainë në fund të nëntorit.

"Mesazhi është se ju, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e SHBA, të cilët po furnizoni me armë me rreze të gjatë regjimin e Kievit, duhet të kuptoni se ne jemi të përgatitur të përdorim të gjitha mjetet për t'i penguar ata të arrijnë atë që ata e quajnë një disfatë strategjike të Rusisë”, i tha ai prezantuesit të televizionit amerikan Tucker Carlson.

Në të njëjtën kohë, Sergei Lavrov tha se shpresonte që Perëndimi "ta merrte seriozisht" përdorimin e fundit të raketës së re kundër një objektivi në Ukrainë në fund të nëntorit.

"Ne po dërgojmë mesazhe dhe shpresojmë që të fundit, dy javë më parë", ose me fjalë të tjera lëshimi i raketës balistike me rreze të mesme "Oreshnik" (IRBM) për të goditur një objektiv në Ukrainë,  "ata e morën seriozisht. "

Video