Bisedimet për paqe në Ukrainë, delegacioni i Trump niset drejt Arabisë Saudite

15 February 2025, 20:34Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Bisedimet për paqe në Ukrainë, delegacioni i Trump niset drejt
Kreu i Departamentit amerikan të Shtetit, Marco Rubio

Zyrtarë të lartë të administratës Trump janë nisur drejt Arabisë Saudite për të filluar bisedimet e paqes me negociatorët rusë dhe ukrainas, kanë deklaruar një ligjvënës republikan dhe dy zyrtarë amerikanë të njohur me planin.

Këshilltari për sigurinë kombëtare, Mike Waltz, do t'i bashkohet Sekretarit të Shtetit Marco Rubio dhe Steve Witkoff, i dërguari i presidentit në Lindjen e Mesme, në ditët në vijim për të nisur bisedimet për përfundimin e luftës.

Megjithatë, i dërguari special i Trump për bisedimet Ukrainë-Rusi, gjenerali në pension Keith Kellogg, nuk do të jetë i pranishëm, thanë zyrtarët për mediat amerikane.

Zyrtarët thanë gjithashtu se nuk ka plane që përfaqësues nga fuqitë e tjera të mëdha evropiane t'i bashkohen bisedimeve. Kjo mund të zemërojë aleatët e NATO-s, të cilët i kanë kërkuar publikisht Presidentit Donald Trump të sigurojë një vend në tryezën e bisedimeve.

Takimi mund të shënojë një moment madhor në dëshirën e Trump për një proces paqeje dhe gjithashtu do të shënonte takimin e parë të madh të përfaqësuesve rusë dhe ukrainas që nga fillimi i luftës në vitin 2022.

Mike McCaul, një ligjvënës republikan nga Teksasi, konfirmoi planet që Waltz dhe Witkoff t'i bashkohen Rubios në Arabinë Saudite për të filluar bisedimet midis dy palëve në luftë gjatë një interviste në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih.

Dy zyrtarë amerikanë, të cilëve iu dha anonimiteti për të diskutuar çështje të ndjeshme të negociatave, konfirmuan planet, por nuk dhanë detaje të tjera rreth takimeve, duke përfshirë se cilët negociatorë ukrainas ose rusë do të merrnin pjesë.

Trump të mërkurën u tha gazetarëve se pret të zhvillojë një takim ballë për ballë me liderin rus Vladimir Putin në Arabinë Saudite. "Ne në fund presim të takohemi," tha ai. "Ne do të takohemi në Arabinë Saudite, të shohim nëse mund të bëjmë diçka."

Në konferencën e Mynihut, zyrtarët e lartë evropianë theksuan se Ukraina duhet të përfshihet drejtpërdrejt në çdo bisedim midis Trump dhe Putin.

“Do të ketë paqe vetëm nëse sigurohet sovraniteti i Ukrainës”, tha kancelari gjerman Olaf Scholz në konferencë të shtunën. Prandaj, një paqe e diktuar nuk do të gjejë kurrë mbështetjen tonë, shtoi ai.

McCaul, i cili është ish-kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, ishte dakord. “Presidenti dëshiron paqe. Por duhet të jetë një marrëveshje ku ukrainasit janë në tavolinë në këtë marrëveshje”, tha ai.

Zyrtarët evropianë dhe ligjvënësit amerikanë kanë theksuar se çdo marrëveshje paqeje duhet të negociohet në një mënyrë që jo vetëm të ndalojë luftimet , por të mos lejojë Rusinë të riarmatoset dhe të rigrupohet për të nisur një pushtim të ri në të ardhmen.

Përpara konferencës, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth përjashtoi mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës në NATO si pjesë e negociatave të paqes, dhe gjithashtu përjashtoi mundësinë e shtrirjes së trupave amerikane ose të mbrojtjes kolektive të NATO-s në çdo forcë paqeruajtëse të ardhshme.


Video