Shqiptarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur sot një protestë kundër vizitës së presidentit serb Aleksandër Vuçiç në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Dhjetra qytetarë shqiptaro-amerikanë kanë nisur të mblidhen pranë selisë së OKB-së në Nju Jork me pankarta kundër Vuçiçit si dhe me simbolet kombëtare shqiptare.
Serbia pritet të marrë pjesë sipas rregullit 37 dhe Kosova sipas rregullit 39 të rregullores së përkohshme të procedurës së Këshillit, sot në datën 23 tetor.
Mark Gjonaj, kryetar i Këshillit Koordinues i Diasporës Shqiptare në një takimi që u mbajt disa ditë më parë në mbrëmje ka ftuar përfaqësuesit e organizatave të komunitetit shqiptaro-amerikan, për tu bërë gati për të mbajtur një demostratë në sheshin e demostratave të shqiptarëve Dag Hammarskjöld Plaza.
Vuçiç është akuzuar se po tenton të destabilizojë Ballkanin, duke provokuar me sulme terroriste në Veri të Kosovës. Ai bojkotoi mbledhjen e Procesit të Ballkanit në Tiranë për të marrë pjesë në një forum në Pekin, ku u takua me presidentin kinez Xi Jinping dhe atë rus Vladimir Putin.