Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, pasi mori me votë unanime nga këshilli kombëtar i Vetëvendosjes mandatin për krijimin e qeverisë “Kurti 3” prezantoi edhe programin katërvjeçar.
Kurti synon që të zhvillojë projekte të përbashkëta me kabinetin Rama 4 që nga hekurudha Durrës–Gjakovë, ushtria dhe tekstet e përbashkëta për diasporën.
“Së bashku me Shqipërinë do të sigurohemi që të mbahet mësimi i gjuhës shqipe në të gjitha shtetet ku ka komunitet më të madh shqiptar. Në mandatin e ri do të fillojmë me ndërtimin e hekurudhës Prishtinë-Durrës, që përmban segmentin Gjakovë-Shkodër. Fuqizimi i ushtrisë do të realizohet përmes blerjes së armatimeve, stërvitjes dhe edukimit brenda vendit në bashkëpunim me Shqipërinë dhe në bashkëpunim me akademitë më të zhvilluara ushtarake në vendet partnere. Do ta krijojmë njësinë ushtarake së bashku me Forcat e Armatosura të Shqipërisë”, tha Albin Kurti.
Në shkurt, Albin Kurti fitoi zgjedhjet, por jo mandatet e domosdoshme për të formuar qeverinë. Për krizën disa mujore në Kosovë, kryeministri në detyrë akuzoi opozitën si shkaktare.
“E vetmja dilemë është nëse kjo masë 25-ditore është më shumë absurde apo më shumë e dëmshme. Por që është edhe absurde edhe e dëmshme, nuk kam dyshim. Kjo nuk është hera e parë që Gjykata Kushtetuese vonon, zvarrit dhe qëllimisht dëmton procese të rëndësishme për qytetarët e Kosovës,” tha Kurti.
Kurti akuzoi Kushtetuesen se ka zvarritur për më shumë se katër muaj vendimmarrjen për konstituimin e Kuvendit duke funksionuar si hije politike e opozitës kundër Vetëvendosjes.
Sipas Kurtit pesë nga shtatë gjyqtarët kushtetues janë zgjedhur në vitin 2018, kur në pushtet ishte koalicioni i Hashim Thaçit me Isa Mustafën dhe Listën Serbe”.
“Gjykata Kushtetuese ishte si një hije politike e opozitës ndaj VetëVendosjes. Gjykata mori masë të përkohshme sipas listës serbe, të paarsyeshëm. Dhe kërkoi që 120 deputetë të Republikës së Kosovës të vegjetojnë deri më 30 shtator, plot 25 ditë kot. Gati 3 muaj e gjysmë që prej mesit të prillit dhe deri tek zgjedhja e kryetarit dhe katër nënkryetarëve në fund të gushtit, 3 muaj janë vonesë e gjykatës Kushtetuese”, shtoi Kurti.
Një tjetër objektiv i Kurtit nëse arrin të rizgjidhet është përfundimi i negociatave me BE-në brenda vitit 2030.