
Eva Schloss, gjysmëmotra e Anne Frank, e mbijetuar e Holokaustit dhe një zë i palodhur për ruajtjen e kujtesës historike tek brezat e rinj, ndërroi jetë të shtunën në Londër në moshën 96-vjeçare, njoftoi fondacioni që mban emrin e Anne Frank.
Familja e saj shprehu “trishtim të madh” për humbjen e kësaj “gruaje të jashtëzakonshme, të mbijetuar të Aushvicit, edukatore e përkushtuar për Shoah-un (Holokaustin) dhe e palëkundur në misionin e saj për ruajtjen e kujtesës, nxitjen e mirëkuptimit dhe paqes”.
Edhe mbreti britanik Charles III, i cili kishte kërcyer me Eva Schloss gjatë një eventi në Londër në vitin 2022, si dhe bashkëshortja e tij Camilla, shprehën “dhimbjen e thellë” për ndarjen nga jeta të saj.
“Kishim privilegjin dhe nderin ta njihnim dhe e admironim thellësisht”, thuhej në mesazhin e tyre në rrjetin X.
Eva Schloss ishte bashkëthemeluese e Anne Frank Trust në vitin 1990, me synimin për të përcjellë kujtesën e Holokaustit te të rinjtë dhe për të luftuar paragjykimet.
E lindur në Austri në vitin 1929 me emrin Eva Geiringer, ajo ishte ende fëmijë kur nazistët pushtuan vendin.
Familja e saj hebre u largua fillimisht në Belgjikë dhe më pas në Amsterdam, ku u vendos përballë shtëpisë ku jetonte Anne Frank, e cila do të bëhej më pas e famshme në mbarë botën përmes ditarit të saj.
Dy vajzat, bashkëmoshatare, luanin shpesh së bashku. Por në vitin 1942, të dyja familjet u detyruan të fshiheshin për t’i shpëtuar ndjekjeve naziste.
Dy vite më vonë, nëna e saj Elfriede, babai Erich dhe vëllai Heinz u tradhtuan nga një simpatizant i regjimit.
Ata u arrestuan në ditën e 15-vjetorit të martesës së prindërve dhe u dërguan në kampin e përqendrimit dhe shfarosjes Aushvic-Birkenau në maj të vitit 1944.
Eva, e cila arriti të mbetej në kontakt me nënën e saj, u nda nga babai dhe vëllai, të cilët humbën jetën në kamp.
Pas çlirimit të Aushvicit nga ushtria sovjetike në vitin 1945, ajo u vendos në Londër për të studiuar, ku njohu bashkëshortin e saj të ardhshëm, Zvi Schloss.
Nëna e saj, e kthyer në Amsterdam, u martua me Otto Frank, babain e Anne Frank. Të dy kishin mbetur të ve kur u kthyen nga Aushvici.
Çifti Schloss, që pati tre vajza, mori shtetësinë britanike. Eva Schloss rifitoi shtetësinë austriake në vitin 2021, në moshën 92-vjeçare.
Ajo shkroi libra dhe ndau dëshminë e saj në mbarë botën.
Në vitin 2013, u nderua me titullin Anëtare e Urdhrit të Perandorisë Britanike, me dekret të mbretit të sotëm Charles III, i cili në atë kohë ishte Princ i Uellsit.