Moska paralajmëron NATO-n për lëvizjet drejt anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës

14 April 2022, 10:23Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Moska paralajmëron NATO-n për lëvizjet drejt
NATO

Rusia ka paralajmëruar NATO-n se nëse Finlanda dhe Suedia do t’i bashkohen aleancës ushtarake, atëherë ajo do të marrë masa në Balltik.

"Rusia do të duhet të forcojë seriozisht forcat e mbrojtjes tokësore dhe ajrore dhe të vendosë forca të konsiderueshme detare në Gjirin e Finlandës nëse Finlanda dhe Suedia do të anëtarësohen në NATO". Kështu ka deklaruar nënkryetari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Dmitri Medvedev. Ai ka theksuar se në rast të anëtarësimit "përgjigja e Rusisë do të jetë në Balltik".

Medvedev është nënkryetar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë që nga viti 2020.

Ai ka qenë më parë president dhe kryeministër i Rusisë dhe është një aleat afatgjatë i Vladimir Putin.

Finlanda dhe Suedia ndërmorën një hap të madh drejt anëtarësimit në NATO dje, pasi kryeministrat e tyre thanë se pushtimi rus i Ukrainës kishte ndryshuar “të gjithë peizazhin e sigurisë” të Evropës dhe “mendësitë e formësuara në mënyrë dramatike” në vendet nordike.

Kryeministrja finlandeze, Sanna Marin, tha të mërkurën se vendi i saj, i cili ndan një kufi 1,300 km (810 milje) me Rusinë, do të vendoste nëse do të aplikonte për t’u bashkuar me aleancën “shumë shpejt, brenda javësh e jo muajsh”, pavarësisht nga rreziku i acarimit të Moskës.


Video