Ministri izraelit: Do e rrëzojmë Netanjahun nëse nuk çon ushtrinë në Rafah

8 April 2024, 17:03Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ministri izraelit: Do e rrëzojmë Netanjahun nëse nuk çon
Palestinezët duke u larguar nga ndërtesat e shkatërruara

Ministri i Sigurisë Kombëtare në Izrael, Itamar Ben-Gvir ka kërcënuar se do të rrëzojë nga pushteti kryeministrin Benjamin Netanjahu, nëse ky i fundit dështon të japë urdhër për pushtimin e Rafah-s.

"Nëse Netanyahu vendos t'i japë fund luftës pa një sulm të gjerë në Rafah, ai nuk do të ketë mandatin për të shërbyer si kryeministër”, deklaroi ministri ekstremist Itamar Ben-Gvir këtë të hënë.

Ushtria izraelite tërhoqi forcat e saj tokësore nga Gaza jugore ditën e dielë, duke nxitur spekulime se operacioni tokësor në Rafah ishte anuluar ose ishte shtyrë.

Një ministër izraelit, duke folur në kushte anonimiteti, i tha “The Telegraph” se ai “100 për qind pajtohet” me Ben-Gvir.

“Ne kemi synime shumë të qarta, që janë të eliminojmë aftësitë ushtarake të Hamasit. Kjo do të thotë para së gjithash katër batalionet e mbetura në Rafah. Qëllimi i dytë është çmontimi i aftësive të tyre politike dhe administrative. Pra, lufta nuk ka mbaruar dhe ne kemi një punë për të bërë. Është shumë e thjeshtë”, tha ministri.

IDF tha se forcat e saj tokësore u larguan nga Gaza jugore për shkak të lodhjes dhe jo sepse lufta kishte mbaruar, por vendimi u mor vetëm disa ditë pasi Joe Biden kreu një telefonatë të tensionuar me Netanjahun. Biden kërkoi që të lejohet më shumë ndihmë në Gaza, si dhe të ketë mbrojtje më të mirë të civilëve dhe punonjësve ndërkombëtarë të ndihmave.

Izraeli beson se në Rafah ndodhen pengjet si dhe aty fshihen rreth 4 mijë anëtarë të Hamas. Megjithatë në Rafah strehohet pjesa më e madhe e popullsisë civile, që aktualisht është duke vuajtur pasojat e rënda të luftës nga kequshqyerja te mungesa e ndihmës mjekësore.


Video