
Kompanitë ajrore në mbarë botën kanë reduktuar ndjeshëm kapacitetet gjatë muajit maj, duke hequr rreth 2 milionë vende dhe duke anuluar rreth 12 mijë fluturime, raporton Financial Times.
Shkak kryesor është kriza e karburantit të aviacionit, e cila është përkeqësuar pas konfliktit në Lindjen e Mesme, duke detyruar operatorët të ulin kostot dhe të përshtatin operimet.
Në shumë raste, linjat ajrore kanë kaluar në përdorimin e avionëve më të vegjël ose më ekonomikë për të kursyer karburant, ndërsa çmimet e biletave kanë pësuar rritje për shkak të kostove të dyfishuara të karburantit.
Sipas të dhënave të kompanisë analitike Circum, numri i vendeve në dispozicion ka rënë nga 132 milionë në 130 milionë në fund të prillit, duke reflektuar tkurrjen e ofertës globale.
Ndër kompanitë më të prekura janë Turkish Airlines, Air China dhe Lufthansa, të cilat kanë reduktuar qindra mijëra vende. Lufthansa kryeson edhe për anulimet, me rreth 4 mijë fluturime të anuluara vetëm në maj dhe deri në 20 mijë fluturime të shkurtuara për periudhën maj-tetor.
Problemet janë shfaqur edhe në linja specifike ndërkontinentale. Air France ka bërë të ditur se është kërkuar të kufizojë fluturimet drejt destinacioneve si Singapori dhe Tokio, për të reduktuar konsumin e karburantit.
Rajoni më i goditur mbetet Azia, për shkak të varësisë së lartë nga furnizimi me karburant përmes Ngushticës së Hormuzit, e cila vijon të jetë nën tensione dhe me kalim të kufizuar.
Në Japoni, Japan Air paralajmëron se fitimet mund të bien me rreth 20 për qind për shkak të rritjes së kostove të karburantit.