Më 16 shtator shpallet vendimi, Thaçi: Pres lirimin nga çdo akuzë

20 August 2026, 22:56Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Më 16 shtator shpallet vendimi, Thaçi: Pres lirimin nga çdo
Hashim Thaçi

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se pret të shpallet i pafajshëm nga të gjitha akuzat në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

“Pres lirimin nga çdo akuzë. Nuk kam çka t’u shtoj argumenteve të ekipeve mbrojtëse, si dhe fjalës sime përfundimtare në sallën e gjyqit”, ka deklaruar Thaçi në një intervistë për “RTV Dukagjini”.

I pyetur nëse është penduar për iniciativën për themelimin e Gjykatës Speciale, Thaçi tha se nuk është penduar për këtë vendim, por ka kritikuar mënyrën se si, sipas tij, është përdorur vullneti i institucioneve të Kosovës.

“Jo. Por nuk do të besoja se vullneti i të zgjedhurve të popullit të Kosovës do të keqpërdorej kaq brutalisht”, ka thënë Thaçi.

Duke folur për pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Thaçi ka kritikuar narrativën mbi të cilën, sipas tij, është ndërtuar aktakuza.

Ai ka thënë se kjo narrativë, sipas tij, nis që nga vitet ’80 dhe vazhdon deri në dhjetor të vitit 2000. Thaçi e ka lidhur këtë edhe me raportin e ish-senatorit zviceran Dick Marty, duke pretenduar se ai ishte rezultat i një bashkëpunimi mes zyrtarëve serbë dhe rusë në Këshillin e Evropës.

“Çuditërisht, narrativa e pretendimeve të tilla fillon nga vitet e tetëdhjeta (atë kohë isha 11-12 vjeç) të lëvizjes së popullit të Kosovës për liri. Vazhdon deri në dhjetor 2000. Kulmon me Raportin e Dick Martyt, rrëfim ky i ndërtuar në bashkëpunim tanimë të konfirmuar mes zyrtarëve serb dhe rus në Këshillin e Evropës”, ka deklaruar ai.

Thaçi tha gjithashtu se vendimi i Dhomave të Specializuara mund të ketë ndikim jo vetëm në rastin e tij, por edhe në mënyrën se si zhvillohet drejtësia ndërkombëtare në të ardhmen.

Aktgjykimi për Thaçin dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, pritet të shpallet më 16 shtator.


Video