Një masakër me thika ka ndodhur një ditë më parë në një fshat të vogël të Francës, duke lënë të vdekur një djalë 16-vjeçar dhe 17 të tjerë të plagosur.
Sipas “Daily Mail”, një grup personash të armatosur me thika sulmuan fshatin Crepol ku ishin mbledhur rreth 400 persona për të festuar një event të përvitshëm.
Grupet e ekstremit të djathtë në Francë kanë publikuar videot e filmuara gjatë ngjarjes së rëndë, duke thënë se nga pamjet mund të identifikohen dy prej autorëve.
Autenciteti i videove nuk është konfirmuar ende.
Ata pretendojnë se autorët janë emigrantë të armatosur me thika, dhe gjatë videove dëgjohen të thonë “kemi ardhur për të therrur njerëzit e bardhë”.
Vrasja ka ndezur polemika politike në Francë, teksa e djathta ekstreme e quajtur sulmin si racizëm kundër njerëzve të bardhë.
Ministri i Brendshëm Gerald Darmanin i tha parlamentit se shtatë persona ishin arrestuar dhe hetuesit tani do të përcaktonin nëse ata qëndronin pas “këtij krimi të urryer”.
Një burim i afërt me rastin, i cili kërkoi të mos përmendet emri, i tha AFP se vrasësi i dyshuar ishte në mesin e shtatë të arrestuarve rreth qytetit të Toulouse, rreth 400 kilometra larg, në bastisjet e kryera nga 50 xhandarë nga njësia elitë GIGN.
Edhe përpara arrestimeve, politikanët e ekstremit të djathtë kishin qenë të shpejtë për të fajësuar për sulmin të rinjtë me prejardhje emigrante nga banesat publike, edhe nëse policia ende nuk ka dhënë detaje mbi identitetin e të arrestuarve.