
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka komentuar për të parën herë arrestimin e themeluesit të platformës së shkëmbimit të mesazheve, Telegram, Pavel Durov, duke thënë se e gjithë çështja i takon gjyqësorit dhe se Franca është një shtet i përkushtuar ndaj lirive të shprehjes dhe komunikimit.
Macron, nuk e ka fshehur edhe një zhgënjim të tijin për si çështja po trajtohet në media sociale, ku Franca edhe është përgojuar për këtë arrestim, ndërsa theksoi se arrestimi nuk është vendim politik.
“Kam parë informacione të rreme në lidhje me Francën pas arrestimit të Pavel Durov. Franca është thellësisht e përkushtuar ndaj lirisë së shprehjes dhe komunikimit, ndaj inovacionit dhe frymës së sipërmarrjes. Kështu do të mbetet”, iu referua Macron rastit.
Më tej, ai shkroi: “Në një shtet të së drejtës, liritë ruhen brenda një kuadri ligjor, si në mediat sociale ashtu edhe në jetën reale, për të mbrojtur qytetarët dhe për të respektuar të drejtat e tyre themelore.
I takon gjyqësorit, në pavarësi të plotë, të zbatojë ligjin.
Arrestimi i presidentit të Telegram në tokën franceze u bë në kuadër të një hetimi gjyqësor në vazhdim. Nuk është në asnjë mënyrë një vendim politik. Është në dorën e gjyqtarëve që të vendosin për këtë çështje”.
Arrestimi
Shefi ekzekutiv i Telegram, Pavel Durov, është arrestuar nga Policia franceze në një aeroport në veri të Parisit.
Durov u arrestua pasi avioni i tij privat ishte ulur në aeroportin Le Bourget, raportuan mediat franceze.
Sipas autoriteteve, miliarderi 39-vjeçar u arrestua nën një urdhër për shkelje, në lidhje me aplikacionin popullor të mesazheve.
Hetimi thuhet se ka të bëjë me mungesën e moderatorëve, me Durov të akuzuar për dështimin për të ndërmarrë hapa, për të frenuar përdorimet kriminale të Telegram.
As Telegram dhe as Durov nuk kanë dhënë një përgjigje të menjëhershme për incidentin.
Për më tepër, Ministria e Brendshme franceze dhe policia lokale nuk kanë pranuar të komentojnë.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Rusisë ka shprehur shqetësimin për arrestimin e Durov dhe thuhet se po ndërmerr hapa për të sqaruar situatën. Ata vunë gjithashtu në pikëpyetje nëse OJQ-të perëndimore do të ndërhynin në emër të Durov.