Frikë në Moskë: Kush është gjenerali i rëndësishëm rus, të cilit iu bë atentat?

6 Shkurt 2026, 15:39Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Një gjeneral i lartë i shërbimit të inteligjencës ushtarake ruse u plagos rëndë pas një atentati me armë zjarri në Moskë.

Gjeneral-Lejtnant Vladimir Aleksev, zëvendës shefi i parë i Drejtorisë kryesore të inteligjencës ushtarake, u transportua menjëherë në spital pas sulmit pranë banesës së tij në periferinë veriperëndimore të kryeqytetit rus, ndërsa informacionet mbi gjendjen e tij mbeten të panjohura.

Aleksev është personaliteti më i lartë ushtarak që shënjestrohet në Moskë që prej nisjes së luftës në Ukrainë katër vite më parë.

Ai ishte vendosur nën sanksionet e BE-së dhe Britanisë së Madhe pasi u akuzua për orkestrimin e sulmit me agjent kimik në vitin 2018 ndaj një ish-agjenti rus në Britani.

Komiteti Hetimor i Rusisë njoftoi se kishte nisur një hetim kriminal lidhur me rastin. Sipas raportimeve, Aleksev është qëlluar disa herë pas shpine nga një person i armatosur, i cili më vonë është larguar nga vendngjarja.

64-vjeçari ka luajtur një rol të rëndësishëm gjatë luftës në Ukrainë duke marrë pjesë në bisedimet me Kievin gjatë rrethimit rus të Mariupolit në vitin 2022.

Ai u dërgua gjithashtu të negocionte me kreun e grupit mercenar Wagner, Yevgeny Prigozhin, që udhëhoqi një kryengritje të shkurtër dhe të përgjakshme në qershor të 2023-shit.

Nuk dihet ende kush qëndron pas atentatit, por në të kaluarën Ukraina ka marrë përgjegjësinë për një seri sulmesh të ngjashme ndaj figurave ushtarake.


Video