Është regjistruar një tjetër rast i rëndë i dhunës dhe bullizmit mes adoleshentëve në Gjermani
Në videon e mëposhtme, ku pamjet tronditëse po bëjnë xhiron e rrjetit, shihet një vajzë 13 vjeçe, e cila rrethohet nga disa vajza 14 deri në 17 vjeçe dhe këto të fundit e dhunojnë fizikisht dhe psikologjikisht atë.
Grupi i vajzave godasin, shtyjnë dhe poshtërojnë në mënyrën më mizore 13-vjeçaren. Ato gjithashtu shihen teksa në një moment i derdhin një pije në kokë dhe i shkundin hirin e cigares. Ndërsa në minutat e fundit të videos ato i djegin edhe flokët.
13-vjeçarja shihet në gjendje të rënduar psikologjike teksa përpiqet që të mbrohet dhe u kërkon atyre të ndalojnë. Por në një moment njëra prej vajzave i drejtohet duke i bërtitur: “Ulu dhe më lut! Unë nuk do të të lë të shkosh kaq lehtë”.
Policia gjermane ka identifikuar vajzat e përfshëria në aktin e rëndë, ndërkohë që viktima po merr kujdes mjekësor në spital. E ëma e 13-vjeçares ka thënë se torturimi mori fund falë ndërhyrjes së një kalimtari të guximshëm.
Ky rast i dhunës i cili ka tronditur opinionin publik në Gjermani, vjen në një moment kur vetëm një javë më parë disa bashkëmoshatare vranë me thikë shoqen e tyre në pyll.