Në Kosovë ka dyshime se ka mbërritur lija e majmunit. Autoritetet vendase shëndetësore raportojnë se një 69-vjeçar nga komuna e Dragashit në Kosovë ka kërkuar ndihmë në Klinikën Infektive të QKUK me simptoma të lisë së majmunit.
Ai është shtruar në spitalin Infektiv dhe i është marrë mostër që do të dërgohet për analiza laboratorike. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjendja e pacientit është e qëndrueshme ndërsa po vazhdon mbikëqyrja epidemiologjike e pacientit dhe gjurmimi i kontakteve.
“Mostra do të dërgohet në laboratorin referent të OBSH në Holandë, presim edhe rezultatet laboratorike deri në diagnozën përfundimtare sipas kritereve të parapara. Pacienti është në izolim, i hospitalizuar në Klinikën Infektive, QKUK”, njoftoi Ministria e Shëndetësisë.