
Ministria e Punëve të Jashtme në Kosovë ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe raportimeve se “mercenarë nga Kosova” po dërgohen në rajonin Donbas të Ukrainës, ku forcat qeveritare ukrainase luftojnë me separatistët e mbështetur nga Moska.
MPJD përmes një njoftimi i cilësoi si të “pavërteta dhe tendencioze çdo pretendim të agjencisë të lajmeve ruse TASS dhe të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Në reagimin e MPJD-së thuhet se me ligjet në fuqi, qytetarëve të Kosovës u ndalohet që të marrin pjesë në luftëra jashtë vendit.
“MPJD vlerëson se deklaratat e agjencisë së lajmeve TASS dhe ministrit Lavrov janë pjesë e një fushate të egër të propagandës ruse që kanë për qëllim tërheqjen e vëmendjes së gjithë botës demokratike nga ankthi që po krijon politika hegjemoniste dhe e diktatit rus mbi të drejtat e popujve për jetë të lirë e sovrane”, thuhet në reagim.
Sipas MPJD-së, fushata e Rusisë kundër Kosovës dhe shteteve të tjera në Ballkanin Perëndimor, “ndër të tjera, ka për qëllim edhe tensionimin e situatës në Kosovë dhe më gjerë në rajon përmes satelitit rus në Ballkan, Serbisë”.
MPJD tha se Kosova është në solidaritet me Ukrainën dhe dënon “politikën hegjemoniste dhe ekspansioniste ruse në dëm të shtetit sovran e të pavarur të Ukrainës”.