Kreu i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, shprehu shqetësimin e tij për situatën në Bosnje e Hercegovinë, një ditë pasi nacionalistët kroatë të këtij vendi paralajmëruan se mund të formojnë rajonin e tyre.
Borrell i paralajmëroi udhëheqësit e tjerë në Konferencën e Sigurisë, që u mbajt në fundjavë në Mynih të Gjermanisë, se situata në Bosnje është “më shqetësuese se kurrë”.
“Situata në Bosnje është më shqetësuese se kurrë. Nuk ka qenë kurrë e lehtë, por tendencat devijuese tani janë vërtet shumë shqetësuese”, tha Borrell.
Autoritetet shtetërore të Bosnjës dhe komuniteti ndërkombëtar tashmë po përballen me përpjekjet për ndarjen e Bosnjës, të udhëhequra nga lideri serb i këtij vendi, Millorad Dodik, i cili është edhe anëtar i Presidencës trepalëshe.