"Ky mund të jetë fillimi i një lufte të madhe në Europë"

24 February 2022, 08:25Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
"Ky mund të jetë fillimi i një lufte të madhe në
Volodymyr Zelensky, presidenti i Ukrainës

Volodymyr Zelensky iu drejtua sërish popullit këtë mëngjes, por përveç popullit të tij ai u dërgoi edhe një mesazh rusëve, në gjuhën e tyre.

Presidenti ukrainas mbajti fjalimin disa minuta përpara se homologu i tij rus, Vladimir Putin, të shpallte një "operacion special ushtarak" në rajonin Donbas të Ukrainës lindore, ku ndodhen dy territoret rebele pro-ruse, Donetsk dhe Luhansk.

 Zelensky foli fillimisht në gjuhën ukrainase dhe paralajmëroi se një pushtim rus "mund të jetë fillimi i një lufte të madhe në kontinentin evropian".

Ai tha se kishte kërkuar pa sukses bisedime me presidentin rus dhe se Moska ka gati 200,000 trupa dhe mijëra automjete luftarake në kufirin midis dy vendeve.

"I telefonova presidentit të Federatës Ruse. Rezultati: Heshtje. Heshtja duhet të jetë në Donbas", tha Zelensky.

Por duke e ndryshuar gjuhën në rusisht, presidenti i kërkoi popullit të vendit fqinj të refuzojë një sulm dhe theksoi se ata po i gënjejnë për Ukrainën.

"Ata thonë se flaka (e luftës) do të çlirojë popullin e Ukrainës, por ukrainasit janë të lirë", tha ai, sipas korrespondentes së BBC-së për Evropën Lindore, Sarah Rainsford.

"Kush mund ta ndalë luftën? Populli. Dhe ata njerëz janë mes jush, jam i sigurt", theksoi ai.

Udhëheqësi ukrainas theksoi se vendi i tij është gati për një sulm rus, duke paralajmëruar: "Nëse trupat na sulmojnë, nëse përpiqen të marrin vendin tonë -  lirinë tonë, jetën tonë, jetën e fëmijëve tanë - ne do të mbrohemi”.

“Nëse na sulmojnë, do të na shohin fytyrat, jo shpinën”, tha presidenti ukrainas.

"Ju thonë se ne e urrejmë kulturën ruse. Si mund ta urresh kulturën? Ose çdo kulturë. Fqinjët gjithmonë pasurojnë njeri tjetrin kulturalisht (...). Ne jemi të ndryshëm, por kjo nuk është një arsye për të qenë armiq", vazhdoi Zelensky .

"Ju thonë se ne jemi nazistë, por si mundet një popull që humbi më shumë se tetë milionë jetë për fitoren ndaj nazizmit të mbështesë nazizmin? Si mund të jem unë nazist? Thuaj gjyshit tim, i cili e kaloi tërë luftën në këmbësorinë e Ushtrisë Sovjetike dhe vdiq si kolonel në Ukrainë”, shtoi ai.

Duke vazhduar në rusisht, Zelensky deklaroi se ukrainasit kujtojnë të kaluarën e tyre, por "duan të përcaktojnë dhe të ndërtojnë historinë e tyre".

"A duan rusët një luftë? Unë do të doja shumë t'i përgjigjem kësaj pyetjeje. Por përgjigja varet vetëm nga ju, qytetarë të Federatës Ruse", përfundoi ai.

Pak minuta pas fjalës së  Zelenskit, Vladimir Putin njoftoi një "operacion special ushtarak" në rajonin e Donbasit, në Ukrainën lindore, ku ndodhen dy territoret rebele Donetsk dhe Luhansk, republika të vetëshpallura dhe që të hënën Putin i njohu si të pavarura.

Ndërsa Putin bëri njoftimin, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara i kërkoi atij që të ndalonte çdo veprim ushtarak.

Pak minuta më vonë, kryeministri i Ukrainës Denys Shmyhal shkroi në Twitter: "Putini sapo ka nisur një pushtim të plotë të Ukrainës. Qytetet paqësore të Ukrainës janë nën sulm. Kjo është një luftë agresioni. Ukraina do të mbrohet dhe do të fitojë"/voxnews

 

 


Video