Kërcënimet e Trump se do ta marrë nën kontroll, përgjigjja e “akullt” e Groenlandës: Nuk duam të bëhemi amerikanë

21 January 2025, 19:16Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kërcënimet e Trump se do ta marrë nën kontroll,
Groenlanda

Mes shumë premtimeve që Donald Trump ka bërë para se të vinte në pushtet është edhe marrja e Groenlandës.

Pak javë para se të merrte detyrën si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Trump nuk përjashtoi përdorimin e forcës ushtarake apo ekonomike për të marrë kontrollin e Groenlandës.

Por duket se përgjigje Trump-it i ka dhënë vetë kryeministri i këtij shteti. Pasi e ka falënderuar, Mute Egede tha se Groenlanda dëshiron ta vendosë vetë të ardhmen e tij dhe nuk dëshiron të bëhet amerikan.

“Jemi groenlandezë. Nuk duam të bëhemi amerikanë. Nuk duam të jemi danezë po ashtu. E ardhmja e Groenlandës do të vendoset nga vetë Groenlanda”, tha Egede për Fox News.

Deklaratat e Trump janë munduar t’i hedhin poshtë edhe diplomatët e Danimarkës, me ministrin e Jashtëm të parin. Lokke Rasmussen tha se ishte i shqetësuar për retorikën e presidentit të ri, kur flet për zgjerimin e territorit të SHBA-së.

Trump ka deklaruar se ka nevojë për Groenlandën për sigurinë ekonominë të SHBA-së. Kujtojmë se rreth 56 mijë persona jetojnë në Groenlandë. Atje ndodhen disa baza ushtarake daneze dhe amerikane. Po ashtu ka një pasuri të konsiderueshme të pashfrytëzuar në minerale dhe karburante.

Groenlanda është shtet autonom, por prej kohësh ka shtyrë drejt një pavarësie. Këtë e pranon edhe vetë Kopenhageni i cili është shprehur se, “Groenlanda i takon banorëve të saj dhe janë ata që mund ta përcaktojnë të ardhmen e tyre”.

Nga ana tjetër, SHBA-ja është tregu eksportues më i madh i Danimarkës dhe në 11 muajt e parë të 2024 shitjet arritën shifrat e 326 miliardë krona, ose 45 miliardë dollarëve. Më saktësisht përbëjnë 17.3% të eksporteve të vendit.

Më herët gjatë, Trump tha se do të vendosë tarifa mbi Danimarkën nëse refuzon ofertën e tij për të blerë Groenlandën.

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, ka vlerësuar dje në një postim në Instagram se Evropa duhet të “lundrojë në një realitet të ri”.

Duke kujtuar të drejtën për vetëvendosje të popullit të Groenlandës, ajo theksoi gjithashtu se Danimarka duhet të ruajë aleancën e saj me Shtetet e Bashkuara, të cilën e përshkroi si më të rëndësishmen që nga Lufta e Dytë Botërore.

Kryeministrja thirri sërish sot një takim me krerët e partive daneze për t'i informuar ata mbi situatën. "Duhet të pranojmë se katër vitet e ardhshme do të jenë të vështira", tha pas takimit Pia Olsendeer e së Majtës së Gjelbër.


Video