Pas vrasjes së liderit suprem iranian, Ajatollahut Ali Khamenei, në sulmet ajrore të së shtunës, vëmendja është përqendruar te pasardhësi i mundshëm që do të drejtojë Republikën Islamike në një moment vendimtar: qetësim të situatës, apo përballje totale me SHBA-të dhe Izraelin.
Sipas analizës së publikuar nga The Telegraph, katër figura kryesore shihen si pretendente për të marrë drejtimin e vendit.
Alireza Arafi
Strategjia e mundshme: Armëpushim

Kleriku 67-vjeçar cilësohet si rruga drejt de-përshkallëzimit. Ai kontrollon rrjetin e seminareve fetare në Iran, çka i jep legjitimitet klerikal.
Ai mori përkohësisht drejtimin, deri sa të zgjidhet një lider i ri, sipas Kushtetutës.
Nëse zgjidhet, pritet të sinjalizojë rikthim në diplomaci dhe negociata për të shmangur përshkallëzimin e luftës.
Megjithatë, analistët sugjerojnë se pushteti real mund të mbetet në duart e familjes Larijani, ndërsa Arafi do të luante rolin e figurës simbolike.
Mohammad Mehdi Mirbagheri
Strategjia e mundshme: Përshkallëzim total

I cilësuar si përfaqësues i krahut më radikal ideologjik, Mirbagheri mbështet një vizion maksimalist të “velayat-e faqih” (sundimit të juristit islam).
Zgjedhja e tij do të sinjalizonte refuzim të çdo marrëveshjeje dhe vazhdim të konfrontimit të hapur, përfshirë sulme të vazhdueshme ndaj objektivave amerikane dhe izraelite.
Një skenar i tillë do të rriste rrezikun e një përplasjeje shkatërruese për Iranin.
Sadeq Larijani
Strategjia e mundshme: Mbijetesë pragmatike

Ish-kreu i sistemit gjyqësor dhe aktualisht në krye të Këshillit të Përshtatshmërisë, Larijani shihet si figurë kompromisi mes fraksioneve.
Ai ka kredenciale të forta konservatore, por edhe reputacion si pragmatist.
Në këtë skenar, Irani do të ruante programin bërthamor dhe qëndrimin përballë Perëndimit, por pa hyrë në përshkallëzim vetëshkatërrues.
Analistët e konsiderojnë këtë si skenarin më realist për mbijetesën e regjimit.
Mojtaba Khamenei
Strategjia e mundshme: Mbështetje ushtarake nga Garda Revolucionare

Djali i dytë i liderit të ndjerë ka operuar për vite në hije si figurë me ndikim në rrjetet e pushtetit.
Nëse kleri dështon të bjerë dakord për pasardhësin, ekziston mundësia që Garda Revolucionare Islamike (IRGC) ta imponojë atë përmes një lloj grushti shteti ushtarak – gjithnjë nëse ai është ende gjallë, pasi nuk dihet zyrtarisht ka qenë, apo jo, pjesë e sulmeve izraelite.
Ky skenar do ta transformonte Iranin në një diktaturë ushtarake të hapur, me rritje të represionit të brendshëm dhe rrezik për destabilizim të mëtejshëm.
Rreziku i fragmentimit
Në rast vakuumi pushteti, ekziston edhe mundësia e tensioneve të brendshme dhe lëvizjeve separatiste në zona si Kurdistani iranian apo Khuzestani, çka mund të çojë në përçarje territoriale dhe konflikt të brendshëm.
Zgjedhja që do të bëjnë klerikët në ditët apo javët në vijim do të përcaktojë nëse Irani do të kërkojë një marrëveshje për të shmangur shkatërrimin, apo do të ndjekë një rrugë konfrontimi të drejtpërdrejtë me pasoja të paparashikueshme për rajonin dhe më gjerë.