“Jam i zhgënjyer nga demokratët”, Elon Musk refuzon dhe Trump: Do të preferoja Ron DeSantis si President të SHBA

26 November 2022, 18:06Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Jam i zhgënjyer nga demokratët”, Elon Musk refuzon dhe
Elon Musk dhe Ron DeSantis

Elon Musk ka deklaruar se do të mbështesë guvernatorin republikan të Floridës, Ron DeSantis dhe jo ish-kreun e Shtëpisë së Bardhë Donald Trump në rast se i pari kandidon për President të Shteteve të Bashkuara në zgjedhjet e 2024.

Pronari i Twitter u pyet nëse ai do të mbështeste DeSantis pasi u shpreh se ende nuk e ka gjetur kandidatin ideal mes demokratëve.

“Preferenca ime për presidencën e vitit 2024 është dikush që është i arsyeshëm dhe i moderuar. Shpresoja se ky do të ishte rasti për administratën Biden, por deri më tani kam qenë i zhgënjyer”, shkroi Musk më herët.

Siç vë në dukje agjencia e lajmeve Reuters, kjo përgjigje e Musk është dëshmia më e qartë e preferencave të tij politike.

Ekspertët politikë kanë vlerësuar republikanin DeSantis, i cili shihet si një kundërshtar i mundshëm i ish-presidentit Donald Trump për të marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë.

Trump njoftoi disa ditë më parë se do të kandidonte sërish për zgjedhje presidenciale në vitin 2024.

Guvernatori i Floridës pati një fitore dërrmuese në zgjedhjet e mesmandatit, ndërsa ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë u kritikua për dështimin e republikanëve në arritjen e “valës së shumëpremtuar të kuqe”, pasi mjaft kandidatë kryesorë të miratuar prej tij, humbën.

Musk u shpreh gjithashtu se ishte gjë e mirë që Trumpi vetë nuk postoi asgjë në Twitter pas rikthimit të llogarisë së tij.

“Gjëja e rëndësishme është që Twitter të korrigjojë një gabim të rëndë në ndalimin e llogarisë së tij, sepse bllokimi i një presidenti në detyrë minoi besimin e publikut tek kjo platforme në gjysmën e Amerikës”, ishte komenti i tij.


Video