Izraeli sulmon një banesë në Gaza, raportohet për 33 të vdekur, mes tyre 13 fëmijë

10 Nëntor 2024, 15:51Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Izraeli sulmon një banesë në Gaza, raportohet për 33 të vdekur, mes tyre 13 fëmijë

Dhjetëra njerëz janë vrarë dhe plagosur në një sulm izraelit në një shtëpi në Jabalia në Gazën veriore, thonë mjekët dhe shpëtimtarët palestinezë.

Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve Wafa dhe agjencia e mbrojtjes civile e Hamasit të Gazës, thanë se të paktën 33 persona ishin vrarë. Mbrojtja civile tha se mes të vdekurve ishin 13 fëmijë,

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thanë se goditën një vend në Jabalia ku “terroristët po vepronin”, ishin ndërmarrë hapa për të zbutur dëmtimet civile dhe detajet ishin në shqyrtim.

Grupet e ndihmës thonë se Jabalia dhe pjesë të tjera të Gazës veriore kanë qenë të rrethuar që nga fillimi i tetorit, kur Izraeli nisi një ofensivë të re tokësore kundër Hamasit.

Izraeli po përballet me një afat kohor të SHBA-së që skadon brenda disa ditësh për të përmirësuar situatën humanitare në Gaza ose për t’u përballur me kufizime të mundshme në bashkëpunimin ushtarak.

Dr Fadel Naim, drejtor i Spitalit Al-Ahly në qytetin e Gazës, i tha agjencisë së lajmeve AP se spitali ku ai punonte kishte marrë 17 trupa nga Jabalia deri më tani, duke përfshirë ato të nëntë grave, dhe numri i të vdekurve ka të ngjarë të rritet.

Dëshmitarët okularë e përshkruan goditjen izraelite në ndërtesën që thuhet se i përkiste familjes Alloush si një “tërmet”.

“Ne thjesht ishim ulur të qetë. Këta janë qytetarë të pafajshëm që nuk i përkasin asnjë organizate apo fraksioni ushtarak,” tha për Reuters dëshmitari okular dhe i afërm i viktimave Hamza Alloush.

Video