
Izraeli dhe Libani kanë rënë dakord për zbatimin e një armëpushimi të ri, i cili do të hyjë në fuqi nëse grupi Hezbollah ndalon plotësisht sulmet ndaj territorit izraelit. Lajmi u bë i ditur nga Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili ka luajtur një rol kyç në ndërmjetësimin e bisedimeve mes palëve, siç shkruan BBC.
Sipas marrëveshjes, armëpushimi kushtëzohet jo vetëm me ndalimin e sulmeve nga Hezbollahu, por edhe me tërheqjen e luftëtarëve të grupit nga zonat e kontrolluara nga Izraeli në jug të Libanit, deri në lumin Litani.
SHBA-të kanë njoftuar se do të mbështesin krijimin e zonave të veçanta sigurie, ku kontrolli i territorit do t’i kalojë ekskluzivisht ushtrisë libaneze, duke përjashtuar çdo grup të armatosur jashtë strukturave shtetërore.
Marrëveshja vjen në një moment tensionesh të larta në rajon. Vetëm të mërkurën, të paktën nëntë persona humbën jetën nga sulmet izraelite në jug të Libanit, ndërsa Hezbollahu lëshoi raketa drejt veriut të Izraelit, duke testuar armëpushimin e pjesshëm të arritur më herët gjatë javës.
Dy vendet pritet të zhvillojnë një raund të ri negociatash më 22 qershor, me synimin për të arritur një marrëveshje më të gjerë dhe afatgjatë për sigurinë në rajon.
Megjithatë, qëndrimi i Hezbollahut mbetet i paqartë. Zyrtarë të grupit kanë deklaruar se nuk e njohin procesin negociues dhe nuk ndihen të detyruar të respektojnë vendimet e marra gjatë bisedimeve mes Libanit dhe Izraelit.
Konflikti është përshkallëzuar ndjeshëm që nga marsi, kur Hezbollahu nisi sulme me raketa ndaj Izraelit. Si kundërpërgjigje, Izraeli ndërmori një fushatë të gjerë bombardimesh dhe operacione tokësore në jug të Libanit.
Sipas autoriteteve libaneze, më shumë se 3 mijë e 500 persona janë vrarë që nga fillimi i luftimeve, ndërsa mbi një milion banorë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Nga ana tjetër, Izraeli raporton humbjen e 26 ushtarëve dhe katër civilëve gjatë konfliktit.
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se është i shqetësuar për rrezikun e një përshkallëzimi të mëtejshëm të luftës, duke theksuar se stabiliteti në Liban është i rëndësishëm për përpjekjet më të gjera diplomatike në Lindjen e Mesme.
Ndërkohë, Irani ka paralajmëruar se çdo marrëveshje rajonale për armëpushim duhet të përfshijë edhe Libanin, duke shtuar se është i gatshëm të reagojë nëse sulmet izraelite vazhdojnë.