Pamjet e atentatit që i mori jetën Charlie Kirk, një prej figurave më të njohura të gjeneratës së re të trumpizmit, kanë bërë xhiron e botës dhe të rrjeteve sociale.
Kirk, 31 vjeç, ndodhej në kampusin e Universitetit të Utah ku zhvillonte një prej takimeve të tij të njohura “prove me wrong”, ku sfidonte publikisht kundërshtarët e ideve të tij.
Në mesin e studentëve, teksa filmonte një tjetër aktivitet të “Turning Point” ai u qëllua me një plumb në qafë nga një snajper i vendosur mbi një ndërtesë aty pranë. Kirk ra në tokë në gjendje të rëndë dhe ndërroi jetë pak më vonë në spital.
Autori mbetet ende i panjohur. E vetmja gjë e sigurt është se atentatori kishte përdorur një armë precize dhe goditi me një të shtënë të vetme, duke u larguar menjëherë.
Në këtë boshllëk informacioni, rrjetet sociale janë mbushur me teori komploti. Shumë përdorues kanë analizuar pamjet e qarkulluara, duke u ndalur tek lëvizjet e dy personave që qëndronin pas Kirk pak sekonda para të shtënës.
Njëri, me një kapele të bardhë, shihet duke prekur vizoren e saj, ndërsa një tjetër, i identifikuar nga disa si pjesë e sigurisë së Kirk, bën një gjest të çuditshëm me duar. Për shumë komentues, këto lëvizje janë interpretuar si “sinjale” për atentatorin.
Të tjerë janë fokusuar te një student që, në momentin e goditjes, ngrihet në këmbë dhe kthen kokën në drejtim të zhurmës, ndërkohë që pjesa tjetër e turmës ende ndodhej e shtrirë përtokë. “Ishte si të kishte parashikuar të shtënën”, shkruajnë përdoruesit.
Në rrjet kanë qarkulluar edhe video të tjera të dezinformuara, mes tyre një pamje e një burri që vrapon larg një ndërtese, e cila u paraqit si ikja e atentatorit. Më vonë u provua se bëhej fjalë për një ngjarje krejt tjetër, një përleshje me armë në një kazino në Nevada në korrik.
Ndërkohë, reagimi politik ka qenë i menjëhershëm. Trump e cilësoi vrasjen si akt të “të majtës radikale”, ndërsa Elon Musk shkoi edhe më tej duke e quajtur të majtën “partia e vrasësve”. Në të njëjtën kohë, komuniteti MAGA dhe e djathta ekstreme kanë përdorur rastin për të shtuar retorikën kundër kundërshtarëve.
E vërteta mbetet e paqartë, por një gjë është e sigurt: dhuna politike në Shtetet e Bashkuara është në rritje dhe çdo ngjarje e tillë kthehet menjëherë në terren për polarizim dhe manipulim.
Ashtu si pas atentatit kundër Trump në një miting në Pensilvani, edhe këtë herë teoritë e “false flag” apo përfshirja e FBI-së, CIA-s apo vetë administratës Biden janë rikthyer fuqishëm në diskursin publik, duke thelluar edhe më shumë ndasitë brenda shoqërisë amerikane.