Grenell qetëson serbët: Te hotelet e Kushner në Beograd, do ndërtohet edhe një memorial për bombardimet e NATO-s

20 March 2024, 16:09Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Grenell qetëson serbët: Te hotelet e Kushner në Beograd, do
Projekt i hoteleve të Jared Kushner në Beograd / Sipër: Richard Grenell

Plani i dhëndrit të Donald Trump, Jared Kushner për të ndërtuar hotele luksoze në qendër të Beogradit ka ngjallur mjaft debat në Serbi, për shkak se prona ka qenë ish-ambasada Jugosllave e bombarduar nga NATO në vitin 1999.

Serbët prej asaj kohe e kanë lënë pronën të rrënuar, për të simbolizuar sipas tyre krimet e luftës që Perëndimi ka kryer në Serbi.

Por duket se ish i dërguari për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, i cili përflitet se synon që nën administratën e re të Donald Trump të bëhet Sekretar i Shtetit, i ka qetësuar serbët me deklaratën e tij të fundit.

Për mediat serbe, ai ka deklaruar se në qendër të hoteleve luksoze që planifikon të ndërtojë Kushner, do të vendoset edhe një memorial për të nderuar historinë e vendit, pra një memorial që kujton bombardimet e NATO-s ndaj shtetit gjenocidial të Sllobodan Millosheviçit.

“Ne jemi të nderuar të bashkëpunojmë me serbët për ta kthyer këtë lokacion në një projekt me shumë qëllime të klasit botëror, ku qendra është një Memorial si një vend kujtimi i historisë së saj. Jam i emocionuar të shoh idetë që ekspertët serbë do të paraqesin për të nderuar arkitekturë origjinale, ndërtesa, emocione dhe patriotizëm në këtë lokacion. Ideja e Urës së Miqësisë është një pjesë emocionale e dizajnit që nxjerr në pah ndërtesat origjinale dhe shërben si një kujtesë e bukur e vizionit të arkitektit Nikola Dobroviç", tha Grenell.

Për sa i përket asaj se çfarë mund të nënkuptojë rindërtimi i përbashkët nga SHBA-ja dhe Serbia i asaj godine, të dëmtuar nga bombardimet e NATO-s në vitin 1999, për marrëdhëniet mes dy vendeve, duke pasur parasysh mundësinë që kompania amerikane e Jared Kushner të mund të “rigjallëronte” ndërtesën e Shtabit të Përgjithshëm, Grenell pranon se ai nuk e kupton ose nuk e ndjen historinë e Ballkanit siç e bën populli serb dhe asnjë i huaj nuk mund t'i kuptojë plotësisht ato emocione.

“Por unë jam i përkushtuar të ndihmoj në ndërtimin e një të ardhmeje për Serbinë të mbizotëruar nga paqja dhe prosperiteti. Të gjithë të përfshirë në projektin e rindërtimit janë tepër të ndjeshëm ndaj historisë së atij objekti” tha ai.

Ai theksoi se shkatërrimi i ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm në vitin 1999 përfaqësoi një humbje të konsiderueshme kulturore dhe arkitekturore për Beogradin.

“Për shumë në komunitetin arkitektonik, ndërtesa e Shtabit të Përgjithshëm është e rëndësishme për shkak të krijuesit të saj origjinal Nikola Dobroviç, një ikonë që futi modernizmin në historinë urbane të Beogradit. Hartimi i projektit të ri filloi me studimin e planit të tij origjinal dhe në bashkëpunim me komunitetin serb e arkitektëve dhe urbanistëve, do të zhvillohet si një urë lidhëse mes së shkuarës dhe së ardhmes, mes serbëve dhe amerikanëve, mes përkujtimit dhe inovacionit. Në një farë mënyre, duke iu rikthyer idesë së arkitektit origjinal modernist, me potencial për rinovim urban, do ta bëjë këtë projekt të klasit botëror”, tha ai.


Video