Çfarë dihet deri tani për vrasjen e liderit të Hamasit dhe frika për një luftë të madhe në Lindjen e Mesme

31 Korrik 2024, 17:30Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Lideri politik i Hamas, Ismail Haniyeh (në qendër) në inaugurimin e presidentit iranian Masoud Pezeshkian në Teheran, Iran, më 30 korrik, një ditë para vrasjes së tij

Vrasja e udhëheqësit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh në një sulm të ushtrisë izraelite në Teheran rrezikon shpërthimin e një lufte të madhe në Lindjen e Mesme, teksa diplomacia botërore bën thirrje për qetësi dhe paqe.

Teksa Irani paralajmëron hakmarrje të ashpër me modelin e breshërisë së dronëve e raketave ndaj Izraelit më 14 prill, ministri izraelit i Mbrojtjes Joav Galant tha se Izraeli është kundër luftës, por po përgatitet për të gjitha mundësitë.

Si kryediplomat i një vendi aleat të Izraelit, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se Uashingtoni nuk kishte asnjë dijeni paraprake për atentatin që i ishte organizuar kreut të Hamasit. Blinken tha se ngjarja tregoi se sa i rëndësishëm është armëpushimi në Rripin e Gazës.

Përmes rrjetit X, presidenti turk Rexhep Taip Erdoan e quajti vrasjen e Ismail H Haniyeh me të cilin ka patur marrëdhënie politike vëllazërore, një barbari sioniste.

Për Ministrinë e Jashtme ruse, kjo është një vrasje politike që mund të nxjerrë jashtë kontrollit tensionet në Lindjen e Mesme.

Përfaqësuesit e Katarit dhe Egjiptit, që kanë nxitur dhe ndërmjetësuar pa pushim arritjen paqes mes Izraelit dhe Hamasit reaguan ashpër duke thënë se vrasja e Hanijes shkatërron përpjekjet për armëpushim.

Kjo është ajo që dihet deri tani:

Udhëheqësi politik i Hamasit, Ismail Haniyeh u vra gjatë vizitës në kryeqytetin e Iranit, Teheran, vetëm disa orë pasi komandanti i lartë ushtarak i Hezbollahut, Fu’ad Shukr, u vra nga një sulm izraelit në Bejrut, duke e futur rajonin në një raund të ri trazirash.

Ndërsa Izraeli mori përsipër sulmin ndaj Shukr, një gjë të tillë nuk e ka bërë këtë për sulmin në Iran, me ushtrinë që thotë se “nuk u përgjigjet raporteve në mediat e huaja”.

Kush ishte Haniyeh? Ai ka qenë pjesë e Hamasit për dekada, në vitet e fundit duke drejtuar operacionet politike të grupit militant nga mërgimi dhe duke u shfaqur si një nga udhëheqësit e tij më të dukshëm gjatë luftës me Izraelin në Gaza. Ai ishte një bashkëbisedues kyç me ndërmjetësit ndërkombëtarë në bisedimet e pengjeve dhe armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit.

Po në lidhje me kohën: Haniyeh u vra në ditën e parë të mandatit të presidentit të ri iranian Masoud Pezeshkian. Ai ishte në Iran për inaugurimin e Pezeshkian. Irani ka qenë një mbështetës kryesor i Hamasit.

Çfarë deklaruan liderët rajonalë: Vrasja e Haniyeh ka tronditur liderët rajonalë, me Katarin që e cilësoi atë një “përshkallëzim të rrezikshëm” dhe presidentin e Turqisë e quajti atë një “akt të neveritshëm”.

Reagimi i SHBA-së: Sekretari i Shtetit Antony Blinken, gjatë një vizite në Singapor, tha se Shtetet e Bashkuara “nuk ishin në dijeni ose të përfshirë në” vrasjen e Haniyeh. Në një intervistë nga Singapori, diplomati i lartë amerikan tha se nuk do të spekulonte mbi ndikimin e atentatit.

Deklarata e udhëheqësit suprem iranian: Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei tha se ishte detyra e kombit të hakmerrej për vdekjen e Haniyeh që kur ai u vra në tokën e tyre. “Ju vratë mysafirin tonë të dashur në shtëpinë tonë dhe tani keni hapur rrugën për dënimin tuaj të ashpër”, tha ai, duke iu referuar Izraelit.

Pse ka rëndësi vrasja e tij? Vrasja e tij është një goditje e rëndësishme për grupin militant palestinez – dhe vjen në një kohë të vështirë për Lindjen e Mesme, me konfrontimet e përshkallëzuara midis  Izraelit dhe Hezbollahut  që kërcënojnë të zgjerohen në një luftë rajonale. Gjithashtu vë në pikëpyetje të ardhmen e negociatave Izrael-Hamas.

Video