Erdogan zotohet se do zhdukë rrjetin e Gulenit pas vdekjes së klerikut

22 October 2024, 22:57Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Erdogan zotohet se do zhdukë rrjetin e Gulenit pas vdekjes së klerikut
Rexhep Tajip Erdogan

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan tha se vendi i tij mbetet i përkushtuar për të përndjekur ndjekësit e dyshuar të klerikut të ndjerë, Fethullah Gulen.

“Do të vazhdojnë të luftojmë FETO-n derisa të zhduket krejtësisht”, ka thënë Erdogan para pjesëtarëve të partisë së tij, duke e përdorur akronimin zyrtar për grupin e Gulenit.

Qeveria turke e konsideron lëvizjen Hizmet të Gulenit si terroriste.

Ankaraja e fajëson rrjetin e Gulenit për organizim të grushtit të dështuar në Turqi, më 2016, dhe prej atëherë ka arrestuar mbështetësit e dyshuar të grupit.

Gulen, i cili ka jetuar në Shtetet e Bashkuara prej vitit 1999, vdiq në një spital në Pensilvani në mbrëmjen e së dielës.

Kleriku ka qenë aleat i Erdoganit deri më 2013.

Vetë Guleni e pati mohuar përfshirjen në tentativën për puç dhe e akuzonte Erdoganin se i kishte orkestruar këto ngjarje.

Më 15 korrik 2016, një fraksion i ushtrisë turke tentoi të kryejë grusht shtetit kundër qeverisë së Erdoganit. Përpjekjet dështuan dhe më shumë se 250 njerëz humbën jetën teksa 2000 të tjerë mbetën të plagosur.

Nën gjendje të jashtëzakonshme, Qeveria e Erdoganit largoi nga puna më shumë se 100.000 shërbyes civilë dhe arrestoi dhjetëra mijëra mbështetës të dyshuar të Gulenit.

Vëzhguesit presin që lëvizja e Gulenit të shpërbëhet pas një kohe, pas vdekjes së udhëheqësit të saj.


Video