Libani është kthyer në një nga temat kryesore të negociatave 2-mujore mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara për çështjen bërthamore. Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, ka deklaruar se Libani është një nga dy dosjet kryesore që po diskutohen në bisedimet që po zhvillohen në Zvicër.
Në të njëjtën kohë, disa fuqi rajonale, si Turqia, Arabia Saudite, Katari dhe Pakistani, po përpiqen të gjejnë një zgjidhje për të ardhmen e Libanit dhe për të siguruar tërheqjen e forcave izraelite nga zonat që vazhdojnë të mbajnë nën kontroll.
Javën e kaluar, zv/kryeministri libanez, Tarek Mitri, vizitoi Ankaranë, ku zhvilloi takime me zyrtarë të lartë turq, përfshirë shefin e inteligjencës turke, Ibrahim Kalin.
Sipas burimeve diplomatike, Turqia beson se ekziston një mosmarrëveshje reale mes presidentit amerikan Donald Trump dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu lidhur me frontin libanez.
Ankaraja e konsideron këtë një mundësi të rëndësishme për të shtyrë Izraelin drejt tërheqjes nga jugu i Libanit.
Turqia po promovon gjithashtu një bosht bashkëpunimi Ankara-Damask-Bejrut për të frenuar ndikimin izraelit në rajon. Megjithatë, sipas burimeve, Ankaraja nuk mbështet idenë e dërgimit të trupave siriane në Liban për t’u përballur me Hezbollahun, pasi kjo mund të shkaktojë tensione të reja mes komuniteteve sunite dhe shiite.
Zyrtarët turq po kërkojnë forcimin e marrëdhënieve mes Libanit dhe Sirisë përmes bashkëpunimit politik dhe të sigurisë, si dhe zgjidhjes së çështjeve të mbetura pezull mes dy vendeve.
Në lidhje me Hezbollahun, Turqia beson se mund të arrihet një marrëveshje me Iranin për kufizimin e rolit ushtarak të grupit. Si model po përmendet Iraku, ku disa milici të mbështetura nga Irani kanë pranuar që armët të jenë nën kontrollin e shtetit.
Ndërkohë, presidenti i Libanit, Joseph Aoun, shihet si më i afërt me Egjiptin, Greqinë dhe Qipron sesa me Turqinë. Megjithatë, sipas raportit, po bëhen përpjekje për organizimin e një takimi mes tij dhe presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan.
Burimet diplomatike theksojnë se Turqia nuk synon të paraqitet si mbrojtëse e komunitetit sunit në Liban, por po vepron mbi baza gjeopolitike, duke e konsideruar vendin një pjesë të rëndësishme të ekuilibrave të rinj në Lindjen e Mesme.