Erdogan mesazh para vizitës në Greqi: Miku im Qirjako, ne nuk ju kërcënojmë, nëse ju nuk na kërcënoni!

6 Dhjetor 2023, 18:47Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, dhe ai grek Qirjako Miçotaqis

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan do të mbërrijë në Greqi në një vizitë të papritur, pas shumë vitesh tensione dhe marrëdhënie jo të mira mes dy vendeve.

Para mbërritjes, në një intervistë për mediat greke, Erdogan ka bërë të ditur se mesazhi që do ti jap kryeministrit grek është: “Miku im Kyriakos, ne nuk ju kërcënojmë, nëse ju nuk na kërcënoni!”

“Problemet e pazgjidhura vazhdojnë mes nesh dhe ne e pranojmë këtë realitet. Por, nga ne varet nëse do të lejojmë që këto çështje të shkaktojnë tensione dhe mosmarrëveshje mes qeverive tona dhe popullit tonë. Pikërisht në këtë kontekst kam folur për një “faqe të re” në marrëdhëniet tona dhe për një parim “win-win” i cili është thelbësor për qasjen e Turqisë ndaj marrëdhënieve ndërkombëtare”.

I pyetur se çfarë e zbuti tensionin e vazhdueshëm mes Greqisë dhe Turqisë, Erdogan tha se kjo vjen nga një perspektivë e rishikuar e vendeve ndaj njëri tjetrit.

“Mbi të gjitha, popujt tanë kanë mbështetur me vendosmëri, të dyja qeveritë në zgjedhjet e këtij viti, duke na fuqizuar për të ndërmarrë hapa të fortë dhe konstruktivë përpara.”

Presidenti turk foli edhe për kërcënimin që ai i bëri një vit më parë Greqisë duke i thënë se “Mund të vijmë një natë papritur”.

“Siç e përmenda, vetëm ata që na kërcënojnë duhet të na kenë frikë. Kjo ka qenë vazhdimisht përgjigja jonë ndaj atyre që na sfidojnë integritetin tonë. Greqia nuk është armiku ynë. Ne jemi një komb që vazhdimisht kemi treguar se fjalët tona nuk shqiptohen pa qëllim. Mediat perëndimore përpiqen të shtrembërojnë fjalët e mia.”

Së bashku me Erdogan do të fluturojnë për në Athinë edhe një pjesë e kabinetit të tij për të vijuar me atë që po quhet ‘axhenda pozitive’ e cila pritet të sheshojë njëherë e mirë ulje-ngritjet e marrëdhënieve mes tyre. Kjo është vizita e parë e Erdogan në Greqi që prej vitit 2017.

Video