Epstein dhe Mamdani: Historia e një fotoje të rreme të krijuar nga AI

4 Shkurt 2026, 18:01Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Një imazh që tregonte Jeffrey Epstein së bashku me Ghislaine Maxwell, Bill Clinton, Jeff Bezos, Bill Gates, Mira Nair dhe një Zohran Mamdani të vogël – aktualisht kryebashkiak i New York-ut – u shpërnda në rrjet si një foto historike që lidhte Mamdanin me personazhe të skandaleve të Epstein.

Por fotoja rezultoi të ishte krejtësisht e rreme, krijuar me Inteligjencën Artificiale!

Rrjeti zjeu për këtë imazh, duke nisur sulme brutale ballore ndaj liberalit demokrat amerikan dhe duke vënë në dyshim mbi të gjitha integritetin e figurës së tij, me atashimin që iu bë me Epstein, për t’u shpalosur më pas e gjitha si një simbiozë e asaj në çfarë bota është kthyer sot: Një augmentim i realitetit duke përdorur AI.

Origjina e fotos së rreme

Fotoja u frymëzua nga një email i vitit 2009, përfshirë në dokumentet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-ve mbi Epstein.

Emaili, shkruar nga Peggy Siegel, një bashkëpunëtore e Epstein, përmendte një after party pas premierës së filmit Amelia të Mira Nair, ku duket se kishin marrë pjesë edhe Bezos dhe Clinton.

Një llogari satirike në X përdori këtë kontekst për të krijuar një imazh të gjeneruar nga AI, duke e shoqëruar me shkrimin: “Truk i mjeshtërisë për t’u bërë politikan i suksesshëm në Amerikë”.

Shumë shpejt, imazhi u keqinterpretuar si i vërtetë nga disa përdorues.

Figura kontroverse në rrjet si Alex Jones e shpërndanë foton si provë për një lidhje të pretenduar midis Mamdanit dhe Epstein, duke kontribuuar në përhapjen e informacionit të rremë.

Si u zbulua se ishte foto e rreme

Fotoja duket teknikisht perfekte: proporcione të sakta të duarve, detaje të sfondit dhe efekt i syve të kuq nga flash-i, tipik i fotografive të viteve 2000.

Por një gjë dallonte: Zohran Mamdani, i lindur në vitin 1991, në vitin 2009 kishte rreth 18 vjeç, ndërsa në imazh duket si fëmijë.

Fotot e personazheve të njohur publikë janë të disponueshme dhe u përdorën si referenca, por për Mamdanin nuk kishte shumë materiale publike si fëmijë.

Një kërkim në Google dhe në arkivin Getty Images zbuloi foton origjinale të Mamdanit dhe nënës së tij nga një premierë filmi në vitin 2004, pesë vite përpara vitit 2009, me të njëjtat rroba të veshura.

Kjo provë e dokumentuar zbuloi qartë se imazhi i shpërndarë ishte një montazh.

Rasti tregon se edhe fotografitë e krijuara nga Inteligjenca Artificiale mund të duken të vërteta, por kontrolli i burimeve, verifikimi i metadatave dhe krahasimi me arkivat e besueshme mbeten thelbësore për të dalluar informacionin e saktë nga dezinformimi.


Video