Miliarderi Elon Musk, që pritet t'i bashkohet administratës së Presidentit të zgjedhur Donald Trump si këshilltar i jashtëm, u përfshi në fushatën zgjedhore të Gjermanisë të premten, duke e quajtur partinë Alternativa për Gjermaninë (AfD) të ekstremit të djathtë, shpëtimtaren e vendit.
AfD është në vendin e dytë në sondazhe, duke u bërë pengesë për partitë e qendrës së djathtë, ose të qendrës së majtë, që të fitojnë shumicën në zgjedhje, por partitë kryesore të Gjermanisë, shumica të qendrës, janë zotuar të mos e pranojnë mbështetjen e AfD-së në nivel kombëtar.
Vendi më i fuqishëm i Evropës pritet të votojë më 23 shkurt pas rrëzimit të qeverisë së koalicionit të qendrës së majtë të udhëhequr nga kancelari Olaf Scholz.
“Vetëm AfD-ja mund ta shpëtojë Gjermaninë”, shkroi Musk në platformën e tij të mediave sociale X.
Postimi i tij jo vetëm që shkaktoi lëvizje, por u pasua edhe nga një mesazh falënderimi personal nga kryetarja e partisë gjermane Alice Widel.
Edhe kancelari Scholz reagoi për këtë çështje, duke sqaruar se të gjithë kanë të drejtën e një mendimi, veçanërisht në demokraci, duke lënë të kuptohet se ndikimi i Elon Musk është e drejta e tij, por ka kufij edhe për këtë.
“Por liria e mendimit do të thotë që dhe mund të thuash gjëra jo të duhura që nuk përmbajnë këshilla të mira politike”, tha kancelari gjerman në një konferencë për shtyp në Berlin.
Elon Musk, personi më i pasur në botë, ka shprehur edhe më parë mbështetjen për partitë e tjera kundër emigracionit në të gjithë Evropën.
Musk ripublikoi edhe një mesazh nga aktivistja gjermane e krahut të djathtë Naomi Seibt që kritikonte Friedrich Merzin, kandidatin për kancelar të konservatorëve, të cilët kryesojnë në sondazhe.
Matthias Miersch, sekretari i përgjithshëm i socialdemokratëve të Kancelarit Scholz, tha për faqen e internetit ‘t-online’ se Gjermania nuk kishte nevojë për ndikime të huaja apo “Trumpizëm”.
Musk shprehu mbështetje për AfD-në vitin e kaluar, kur kritikoi mënyrën se si qeveria gjermane e trajtoi emigracionin e paligjshëm.
Muajin e kaluar, Musk bëri thirrje për shkarkimin e gjyqtarëve italianë të cilët vunë në dyshim ligjshmërinë e masave të qeverisë për të parandaluar imigracionin e parregullt.
Rreth një muaj më parë, Musk kishte kritikuar hapur drejtësinë italiane, pas vendimit që bllokoi ekstradimin e emigrantëve të paligjshëm nga Roma drejt kampit të Gjadrit, të ndërtuar pas arritjes së marrëveshjes me kryeministrave Meloni dhe Rama.
Madje, gjyqtarët italianë e kishin kritikuar hapur Musk për mënyrën sesi ai zgjodhi të pozicionohej në një çështje kombëtare të Italisë. Megjithatë, Georgia Meloni e përdori pozicionin e Musk në avantazhin e saj, duke synuar të jetë në rrethin e ngushtë të liderëve të huaj që do të kenë akses të drejtpërdrejtë në zyrën ovale të Donald Trump pas betimit të tij më 20 janar.