Sarah Rainsford – BBC
Qetësia e një varreze në Kiev prishet nga tingulli i borisë, më pas nga breshëritë e armëve. Ushtarët shtrijnë flamurin ukrainas mbi një arkivol druri dhe qëndrojnë në heshtje, mes borës së bardhë. Një grua shpërthen në lot. Natalia po varros bashkëshortin e saj për herë të dytë.
Vitaly u vra tre vite më parë, duke luftuar në Donbasin lindor. Varrimi i parë u bë në qytetin e tyre, Slovyansk. Por me avancimin e forcave ruse dhe afrimin e vijës së frontit, zona është gjithnjë e më e rrezikuar. Nga frika se varri i bashkëshortit mund të binte nën pushtim, Natalia vendosi ta zhvarrosë dhe t’i zhvendosë eshtrat e tij qindra kilometra larg, në kryeqytet.
“Kur e varrosëm në Slovyansk, toka po çlirohej dhe menduam se lufta do të mbaronte shpejt”, tregon ajo pas ceremonisë me nderime ushtarake. “Por fronti po afrohet vazhdimisht dhe kisha frikë se Vitaly do të përfundonte nën pushtim”.
Vitaly ishte artist qeramike dhe doli vullnetar për të mbrojtur Ukrainën në ditët e para të pushtimit rus në vitin 2022.
“Nuk donte, por e ndiente si detyrim. Ishte patriot”, thotë Natalia mes lotësh. Ajo ishte shtatzënë kur ai u vra dhe Vitaly nuk arriti kurrë ta takojë vajzën e tyre.
Vendimi për të zhvendosur trupin e bashkëshortit nga toka ku kishte lindur dhe luftuar ishte shumë i dhimbshëm emocionalisht.
“Ishte shumë e vështirë, por ishte vendimi i duhur. Do të ishte edhe më e dhimbshme ta lija atje”, shprehet ajo.
Sulme gjithnjë e më të shpeshta
Ndërkohë që SHBA-të përpiqen të ndërmjetësojnë një marrëveshje paqeje mes Moskës dhe Kievit, Rusia vazhdon ofensivën. Sulmet ajrore ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës janë shtuar, ndërsa presioni për kompromis bie kryesisht mbi Kievin.
Në fokus të bisedimeve pritet të jetë statusi i Donbasit lindor, ku kanë humbur jetën mijëra ushtarë. Ukraina kontrollon ende rreth një të pestën e rajonit, përfshirë Slovyansk, por qyteti ndodhet shumë pranë vijës së frontit. Kievi propozon ngrirjen e luftimeve pa lëshuar territor, ndërsa Moska kërkon kontrollin e plotë të rajonit, një ide që mendohet se mbështetet edhe nga SHBA-të.
“Ka dronë në rrugë, godasin autobusët dhe bombat bien në qendër të qytetit”, tregon Natalia për jetën në Slovyansk. “Më parë sulmet ishin javore, tani ndodhin çdo dy ditë”.

“Duhet të bashkohemi”
Në veri të Slovyansk-ut, pranë Kharkiv-it, punëtorët po vendosin rrjeta mbrojtëse mbi rrugë për t’u mbrojtur nga dronët rusë. Në një bodrum të fshehtë, ushtarët e njësisë “Typhoon” riparojnë dhe përmirësojnë dronët ukrainas.
“Ne nuk flasim për dorëzimin e territoreve këtu”, thotë Roman, 29 vjeç. “Duhet të bashkohemi dhe të luftojmë”. Ai ka humbur shumë shokë gjatë dy viteve në front. Sipas ministrit të Mbrojtjes, rreth 200 mijë ushtarë janë larguar pa leje nga ushtria.
Një tjetër ushtar, Maksym, pranon se koncepti i “fitores” ka ndryshuar. “Fitorja jonë është ruajtja e shtetit. Edhe nëse kemi vetëm pak kilometra katrorë, por ruajmë kushtetutën dhe institucionet, kjo është ende Ukrainë”, thotë ai.
Dhimbje dhe shpresë
Në Kiev, Natalia qëndron pranë varrit të ri të bashkëshortit, ku vendoset një kryq druri dhe një foto e Vitaly-t, duke buzëqeshur pranë një luledielli të verdhë. Ajo ndihet më e qetë që tani varri ndodhet afër saj dhe vajzës së tyre, Vitalinës.
“Vajza sheh videot dhe fotot e tij dhe e do shumë, edhe pse nuk u takuan kurrë”, thotë ajo. Natalia shpreson t’i tregojë së shpejti bashkëshortit se është sërish shtatzënë, falë spermës që çifti kishte ngrirë pak ditë para se Vitaly të vritej.
Shumë nga shokët e tij të luftës nuk arritën të merrnin pjesë në rivarrim, sepse janë vrarë edhe ata. Ukraina ka paguar një çmim shumë të lartë pas katër vitesh lufte të plotë. Dorëzimi i territorit që Rusia tashmë kontrollon mund të pranohet nga disa, por Natalia nuk e pranon idenë që Rusia të marrë edhe më shumë, përfshirë qytetin ku ajo dhe Vitaly jetuan dhe u dashuruan.
“Rusia mund të ndalet për një vit, pastaj do të kthehet sërish”, thotë ajo. “Nuk besoj se Rusia do të ndalet”.