
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka rikthyer kërkesën që SHBA të marrë kontrollin e Groenlandës, ndërsa paralajmëroi se mund të tërheqë trupat amerikane nga Evropa nëse aleatët vazhdojnë të mos përmbushin detyrimet e tyre në kuadër të NATO-s.
Duke mbërritur në samitin e NATO-s në Ankara, Trump kritikoi vendet evropiane për nivelin e shpenzimeve në mbrojtje dhe tha se SHBA ka mbajtur barrën kryesore të sigurisë së aleancës për shumë vite.
Ai u shpreh i pakënaqur edhe me qëndrimet e disa aleatëve lidhur me konfliktin mes Izraelit dhe Iranit, duke deklaruar se NATO nuk e kishte mbështetur mjaftueshëm Uashingtonin gjatë përshkallëzimit të tensioneve.
Trump riktheu gjithashtu debatin mbi Groenlandën, territor autonom i Danimarkës dhe pjesë e Mbretërisë Daneze, duke argumentuar se ishulli ka rëndësi të madhe strategjike për SHBA-në.
“Grenlanda duhet të kontrollohet nga SHBA-ja, jo nga Danimarka”, deklaroi ai, duke shtuar se zona është e rrethuar nga aktiviteti detar i Rusisë dhe Kinës.
Presidenti amerikan paralajmëroi se SHBA mund të rishikojë praninë e saj ushtarake në Europë.
“Nuk kemi pse të shpenzojmë më para. Mund t’i tërheqim të gjithë ushtarët tanë nga Europa”, tha Trump, duke kritikuar gjithashtu politikat evropiane për emigracionin dhe energjinë.
Deklaratat e tij shkaktuan reagime të menjëhershme. Ministrja britanike e Financave, Rachel Reeves, theksoi se e ardhmja e Groenlandës duhet të vendoset nga vetë populli i Groenlandës dhe Danimarkës, jo nga presidenti amerikan.
Trump përsëriti gjithashtu kritikat ndaj vendeve anëtare të NATO-s për mosarritjen e objektivave të shpenzimeve ushtarake, duke argumentuar se aleatët europianë mbështeten tepër te SHBA për sigurinë e tyre.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur liderët e NATO-s janë mbledhur në Ankara për të diskutuar sigurinë euroatlantike, luftën në Ukrainë dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të aleancës.