Dodik dekretoi ligjet që ndalojnë punën e drejtësisë, SHBA: Kërcënojnë sigurinë!

8 March 2025, 13:09Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Dodik dekretoi ligjet që ndalojnë punën e drejtësisë,
Millorad Dodik

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio ka reaguar pas vendimit të presidentit të Republikës Sërpska Millorad Dodik i cili pak ditë më parë dekretoi ligjet jo kushtetuese që ndalojnë punën e organeve të drejtësisë sic janë gjykata, Prokuroria e Bosnje-Hercegovinës, Agjencia shtetërore per Hetime dhe Mbrojtje dhe Këshillat e Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Bosnjës.

Rubio thotë se veprimet e presidentit të Republikës Sërpska Millorad Dodik, përbëjnë kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e Bosnje e Hercegovinës, si dhe minojnë institucionet shtetërore të saj.

"Qeveria jonë u bën thirrje liderëve politikë në Bosnje e Hercegovinë për t’u angazhuar në dialog konstruktiv dhe të përgjegjshëm. Ne u bëjmë thirrje partnerëve tanë në rajon të bashkohen me ne për ta kundërshtuar këtë sjellje të rrezikshme dhe përshkallëzuese", shkroi Rubio në rrjetin social X.

Duke iu përgjigjur reagimit të Ambasadës amerikane në Sarajevë e cila shprehu shqetësim për dekretimin e ligjeve jokushtetuese, Dodik pretendoi më 6 mars se administrata Trump nuk mban qëndrime të njëjta me administratën e kaluar Biden.

Dodik është shpallur fajtor dhe është dënuar nga Gjykata e shkallës së parë për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt, dhe nënshkrimit të dekretit për shpalljen e ligjeve që Schmidt paraprakisht i kishte shpallur të pavlefshme, ligje që synonin të parandalonin zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe të përfaqësuesit të Lartë në territorin e Republikës Sërpska.

Dodik gjithashtu është i shpallur non grata nga SHBA.

Ai është futur dy herë në listën e zezë amerikane për shkak të aktiviteteve të tij kundër Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit të arritur më 1995.


Video