Rusët po shfrytëzojnë një shteg të njohur si “dera e pasme serbe” për të ikur në Evropë dhe për të anashkaluar një ndalim në mbarë unionin për fluturimet drejt dhe nga Rusia.
“Air Serbia”, e cila është kryesisht në pronësi të shtetit, ka dyfishuar numrin e fluturimeve direkte nga Moska në Beograd në 15 në javë.
Kjo për të përmbushur kërkesën në rritje të shpejtë pasi BE-ja ndaloi avionët dhe linjat ajrore ruse nga hapësira e saj ajrore, pas pushtimit të Ukrainës nga presidenti, Vladimir Putin.
Rusia, po ashtu, u përgjigj duke mbyllur hapësirën e saj ajrore ndaj avionëve të BE-së dhe Britanisë së Madhe.
Serbia nuk është anëtare e unionit dhe ka refuzuar të vendosë sanksione kundër Rusisë, por avionët e saj janë të lirë të kalojnë hapësirën ajrore të BE-së.
Kjo e ka bërë vendin ballkanik “të vetmin korridor ajror evropian të mbetur i hapur për Rusinë”, sipas kompanisë analitike të udhëtimit ForwardKeys.