
Impianti bërthamor i Çernobilit ka pësuar një “errësim të plotë”, duke shkaktuar frikë nga katastrofa e rrjedhjes së rrezatimit, pasi Rusia pushtoi vendndodhjen dhe mori në kontroll centralin, shkruan “The Sun”.
Operatori shtetëror i rrjetit energjetik në Ukrainë ka thënë se centrali, i cili u mor nga forcat ruse muajin e kaluar, tani nuk ka furnizim me energji elektrike.
“Për shkak të veprimeve ushtarake të pushtuesve rusë, centrali bërthamor në Çernobil u shkëput plotësisht nga rrjeti elektrik. Stacioni bërthamor nuk ka furnizim me energji elektrike. Aksionet ushtarake janë në betejë, kështu që nuk ka mundësi për të rivendosur linjat. Qyteti Slavutich është gjithashtu pa furnizim me energji”, njoftojnë autoritetet ukrainase.
Humbja e energjisë mund ta detyrojë centralin të mbështetet në gjeneratorët e emergjencës me naftë, të cilët nuk janë të besueshëm dhe mund të dështojnë ose të mbeten pa karburant, duke shkaktuar një ndërprerje të punës së stacionit, që do të ndalonte edhe qarkullimin e ujit të nevojshëm për të ftohur rezervuarin e karburantit të shpenzuar.
David Fletcher, profesor i Universitetit të Sidneit në Shkollën e Inxhinierisë Kimike dhe Biomolekulare, vuri në dukje se mbyllja e reaktorëve nuk do të ndihmonte nëse sistemi i ftohjes dështon.
“Shqetësimi i vërtetë nuk është një shpërthim katastrofik siç ndodhi në Çernobil, por dëmtimi i sistemit të ftohjes, i cili kërkohet edhe kur reaktori është i mbyllur”, tha ai.
"Ishte ky lloj dëmtimi që çoi në aksidentin e Fukushimës", sipas tij.