
Si tejet shqetësuese i cilësoi Komisioni Europian raportimet mediatike se Hungaria i ka dhënë informacione të ndjeshme Rusisë.
Një marrëdhënie besimi mes shteteve anëtare dhe mes tyre dhe institucionit është thelbësore për punën e BE-së, dhe presim që qeveria hungareze të japë sqarime, u shpreh zëdhënësja e Komisionit, Anitta Hipper, pasi gazeta Washington Post publikoi një artikull sipas të cilit ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijarto, i kishte dhënë Rusisë informacione për negociatat e Bashkimit Europian.
Media amerikane, duke cituar disa zyrtarë dhe ish-zyrtarë europianë të sigurisë, nënvizoi se Szijarto kishte folur rregullisht me telefon me homologun rus Sergej Lavrov gjatë pushimeve mes takimeve të ministrave europianë dhe i kishte dhënë Lavrov informacion për atë që diskutohej në ato takime, si dhe sugjerime se si mund të veprohej.
Artikulli i Washington Post u hodh poshtë nga kryeministri hungarez Viktor Orban, i cili përgjimin e një anëtari të qeverisë së tij e cilësoi si sulm ndaj Hungarisë, megjithëse në artikull nuk shkruhej se Szijarto ishte përgjuar. Ky i fundit, ndërkohë, u shpreh në rrjetin social Facebook se akuzat ndaj tij ishin teori konspiracioni pa kuptim dhe akuzoi agjenci të huaja për angazhim në survejim me bashkëpunimin e një gazetari hungarez, emrin e të cilit nuk e përmendi.
Szijarto gjithashtu akuzoi Ukrainën për përfshirje. Në artikullin e gazetës amerikane pretendohet se shërbimet ruse mund të kenë marrë në shqyrtim ndikimin në zgjedhjet parlamentare që mbahen në Hungari më 12 prill, ku sondazhet kanë nxjerrë Orban, që mbështet si presidentin amerikan Donald Trump ashtu edhe atë rus Vladimir Putin, në një pozitë të dobët para votimeve.