
"Të pabalancuar” e ka quajtur Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestag, Michael Roth, reagimin e mbrëmshëm të ambasadorit të SHBA në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, i cili u shpreh “thellësisht i shqetësuar” me veprimet e Ministrisë së Brendshme për konfiskimin e një automjeti që barte pagesa në dinarë serbë për serbët e Kosovës.
“Një tjetër shembull për deklaratat e pabalancuara të SHBA (ose BE-së) për Kosovën. S’po shoh mesazhe kaq të qarta në lidhje me agresionet serbe (sulm terrorist në Bajnska, rrëmbim apo shantazh) në rajon, i dashur ambasador SHBA-së në Kosovës”, – ka shkruar ai në “X” duke shpërndarë edhe deklaratën e ambasadorit Hovenier.
Një reagim të ngjashëm mbajti edhe deputetja britanike dhe kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Britanik, Alicia Kearns. Me anë të një postimi në X ajo theksoi se Shtetet e Bashkuara kanë heshtur për rrëmbimin e 3 policëve të Kosovës nga Serbia. Po ashtu ajo ka shtuar se Uashingtoni nuk ka reaguar me të njëjtën ashpërsi as për sulmin në Banjskë.
“Ku është balanca? A kemi parë një deklaratë të tillë nga SHBA pas rrëmbimit të paligjshëm të 3 policëve nga Serbia? Jo. Heshtja për sulmin terrorist në Banjska mbetet shurdhuese”, – shkroi deputetja britanike.