Kryeministri i Britanisë, Boris Johnson do të japë dorëheqjen si lideri i Partisë Konservatore pas skandalit të fundit që ka përfshirë qeverinë e tij dhe ka çuar në dorëheqjen e më shumë se 50 anëtarëve të saj.
Sipas BBC, Johnson do të japë dorëheqjen pasdite, ndërsa do të qëndrojë në detyrë deri në tetor.
Skandali i fundit rreth Johnson nisi javën e kaluar, kur u mësua se Chris Pincher, anëtar i Partisë Konservatore në Dhomën e Komunave dhe numri 2 në parti, përgjegjës për disiplinën, ngacmoi dy burra në një vend publik, ndërsa ishte në gjendje të dehur. Si rezultat, Pincher dha dorëheqjen dhe u pezullua nga partia.
Që atëherë, është zbuluar se Johnson emëroi Pincher në poste të larta partiake dhe ekzekutive, pavarësisht se ishte në dijeni të akuzave për raste të tjera të sjelljes së keqe seksuale që përfshinin deputetin. Të martën, kryeministri kërkoi falje për këto vendime në një deklaratë për BBC dhe pranoi se ishte informuar për akuzat kundër Pincher në vitin 2019.