Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shkaktuar reagime të forta pasi publikoi në platformën e tij Truth Social një video ku ish-presidenti Barack Obama dhe ish-zonja e parë Michelle Obama shfaqen si majmunë.
Videoja, e shpërndarë fillimisht nga një llogari pro-Trump në X, lidhet me akuzat e Trump për manipulim të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Në pamjet e krijuara me inteligjencë artificiale, fytyrat e Obamës dhe bashkëshortes së tij janë montuar mbi trupat e majmunëve, të shoqëruara nga kënga “The Lion Sleeps Tonight”. Postimi ka shkaktuar reagime të shumta, me akuza për racizëm dhe gjuhë fyese.
Zyra e guvernatorit të Kalifornisë, Gavin Newsom, reagoi ashpër duke e quajtur veprimin “sjellje të neveritshme nga Presidenti” dhe duke kërkuar që çdo republikan ta dënojë publikisht këtë akt.
Pas polemikave, postimi u fshi, por qëndroi rreth 12 orë online.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se një anëtar i stafit "e bëri gabimisht postimin" dhe se tani është hequr.