Armët serbe përfundojnë në Ukrainë, Kremlini zemërohet me Vuçiç: Do të flasim mirë me të

24 Qershor 2024, 21:10Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Armët serbe përfundojnë në Ukrainë, “shuplaka” e Rusisë ndaj Vuçiçit: Do të flasim mirë me të

Rusia është e zemëruar me Serbinë. Shkak për këtë janë bërë raportimet e disa mediave ndërkombëtare për faktin se Beogradi po lejon që armët serbe të përfundojnë në Ukrainë.

Financial Times në një artikull shkruan se “prova se armët serbe po arrijnë në frontin lindor është se Beogradi po u shet armë vendeve perëndimore”.

Për këtë reagoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke sinjalizuar se Rusia do të kërkojë shpjegime të detajuara nga presidenti Aleksandër Vuçiç.

Gazeta amerikane “Financial Times” thekson se që nga fillimi i Operacionit Special Ushtarak, Ukraina ka mundur të marrë municion nga Serbia me vlerë rreth 800 milionë euro përmes vendeve të treta.

Kjo media raportoi më herët se Vuçiç ishte në dijeni të informacioneve të qeverisë Amerike se armët serbe po përfundojnë në Ukrainë përmes palëve të treta dhe se nuk ka ndonjë plan për ta frenuar një gjë të tillë.

Kjo duket se nuk ka kaluar pa u vënë re nga njerëzit e Vladimir Putin në Moskë që janë bërë gati për t’i tërhequr veshin presidentit serb.

“Ne i kemi parë dhe dëgjuar ato deklarata të zotit Vuçiç. Këtë temë do ta adresojmë në kontakt me miqtë tanë serbë”, u shpreh zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Një nga njerëzit që pritet të përfshihet në këtë çështje, është zëvendëskryeministri serb, Aleksandër Vulin, politikani i cili po bën lidhjet mes Beogradit dhe Moskës.

Së fundmi, ai sinjalizoi një anëtarësim të mundshëm të Serbisë në aleancën BRICS, që udhëhiqet nga Rusia.

Ky bllok politik, financiar, ndoshta dhe ushtarak, është krijuar për të rivalizuar NATO-n dhe G7-ën, dy grupime perëndimore të fuqishme.

Video