Anthony Albanese, kryeministri Australisë, triumfoi në zgjedhjet parlamentare, të konsideruara si një moment kyç për politikën aktuale të vendit.
Rezultatet paraprake të votimit shkojnë në favor të Albanese (babai i të cilit ishte një arbëresh nga Italia) dhe të Partisë Laburiste të drejtuar nga Albanese, edhe pse ende nuk dihet nëse ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme për të formuar e vetme qeverinë e re.
Kjo pasiguri, thekson BBC, e lë të hapur mundësinë për negociata me forca të tjera politike, përfshirë partitë e vogla dhe kandidatët e pavarur, për krijimin e një koalicioni qeverisës.
Të dhënat fillestare lënë të kuptohet se laburistët kanë arritur të përfitojnë nga një zhvendosje e ndjeshme e votuesve në nivel kombëtar, duke marrë mbështetje të gjerë në disa zona kyçe dhe duke lënë pas koalicionin konservator Liberal-Nacional, të udhëhequr nga Peter Dutton.
Teksa numërimi nuk ka përfunduar plotësisht, Albanese duket se do të kthehet në kryeministrin e parë që fiton një mandat të dytë që nga John Howard në vitin 2004.
Opozita tashmë e ka pranuar humbjen.
“Nuk ishim mirë sa duhet gjatë kësaj fushate”, u shpreh Dutton, që shtoi se merr përgjegjësi të plotë për këtë fakt.
62-vjeçari Albanese e ka paraqitur veten si një njeri me “dorë të hekurt” për udhëheqjen e Australisë përmes një periudhe turbulencash globale, të ngarkuar edhe më shumë nga lufta e tarifave e Donald Trumpit.
Ish-shefi i fushatës së këtij të fundit, Chris LaCivita – i cilësuar si njëri prej arkitektëve të triumfit të republikanit në presidencialet e vitit 2024 në SHBA – pretendoi dy ditë më parë se kishte bërë një vizitë jozyrtare në Australi për të këshilluar Partinë Liberale atje përpara votimit, por vetë Dutton, i cili i humbi zgjedhjet, e pati mohuar përfshirjen e tij.