
Autoritetet amerikane kanë arrestuar një person të dyshuar për vendosjen e bombave në Uashington mbrëmjen para sulmit të 6 janarit 2021 në Kapitol, një ngjarje e shkaktuar nga mbështetës të atëhershëm të presidentit Donald Trump. Lajmi u konfirmua nga dy zyrtarë të njohur me hetimet.
FBI publikoi më herët pamje nga kamerat e sigurisë dhe ofroi një shpërblim prej 500 mijë dollarësh për informacione që do të çonin në identifikimin e autorit, duke marrë qindra sinjalizime gjatë kërkimeve që kanë zgjatur gati pesë vjet.
Në videon e datës 5 janar 2021 shihet një person teksa vendos një pajisje shpërthyese pranë selisë së Komitetit Kombëtar Demokrat, ndërsa një tjetër bombë u vendos pranë selisë së Partisë Republikane. Të dy objektet ndodhen afër ndërtesës së Kapitolit.
I dyshuari u arrestua në Virxhinia, sipas një zyrtari të forcave të rendit, dhe pritet të dalë për herë të parë para gjykatës në Uashington.
Bombat u zbuluan të njëjtën ditë kur protestues pro-Trump sulmuan Kongresin në përpjekje për të ndaluar certifikimin e fitores së Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Pajisjet u çaktivizuan në kohë dhe asnjëra nuk shpërtheu.
Gjatë trazirave të 6 janarit 2021, protestuesit thyen kordonët e policisë, sulmuan rreth 140 efektivë dhe shkaktuan dëme që vlerësohen mbi 2,8 milionë dollarë.
Sipas raportimeve, kur Donald Trump u rikthye në detyrë në janar, ai u dha falje pothuajse të gjithë personave të akuzuar për pjesëmarrje në ato ngjarje, rreth 1.500 individë.